PD: Hetimi i deputetëve deri në fund

24/09/2014 00:00

Videoja e shpërndarë dhe publikuar në media nga ana e Prokurorisë, ku
shihen deputetët e PS-së Ndoka e Ndreu që godasin deputetin e PD-së Gent
Strazimiri, ka ngjallur debate dhe akuza të reja politike në Shqipëri.

Në një deklaratë për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami, i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme t’i shkojë deri në fund këtij hetimi dhe ta shtrijë atë duke përfshirë edhe kryeministrin Rama, i cili sipas PD-së është frymëzuesi dhe nxitësi i kësaj dhune skandaloze.

Pas deklaratës së tij, Selami i ftoi të gjithë mediet të shikonin përmes një monitori momentin e “urdhrit” të Ramës për “të ndëshkuar” Strazimirin.

Në fillim shfaqet deputetja Olta Xhaçka, e cila, “e urdhëruar” nga Rama, i kërkon deputetit të djathtë të flasë me emra konkretë mbi akuzën, se në Kuvend ka njerëz të inkriminuar dhe të dënuar nga drejtësia në vendet evropiane.

Pas pak shfaqet videoja e shpërndarë dhe e transmetuar dje nga mediet, ku shihen qartë momentet e dhunës fizike ndaj Strazimirit. Duke iu referuar këtyre lidhjeve, falë pamjeve filmike që i zotëron edhe PD-ja, Selami ka kërkuar që kryeministri të reflektojë dhe të mos heshtë më.

“Rama akoma nuk ka kërkuar falje publike për dhunën që e panë të gjithë shqiptarët, por ka thënë, si shumë të tjerë të pandërgjegjshëm në këtë vend, që mirë ia bënë. Rama është nxitësi i kësaj dhune, – theksoi Selami. –  Zbardhja e çështjes ka rëndësi për shtetin ligjor. Falë medieve, u pa dhuna e dy deputetëve socialistë ndaj deputetit Strazimiri”.

“Në këtë mënyrë, i kërkojmë Prokurorisë të përfshijë në këtë hetim edhe kryeministrin Rama, si nxitësin e kësaj dhune. Goditja ndaj Strazimirit është një skenar i mirëmenduar dhe i mirëpërgatitur në gjakftohtësi prej kryeministrit të vendit. Pasi ka nxitur me sms dhe gjeste deputeten Olta Xhaçka, dy deputetët që ndodhen në krah të zonjës, janë hedhur në veprim. Të porositur nga kryetari i tyre, i zënë pritë në korridor, ku e godasin z.Strazimiri”, ka akuzuar mes të tjerash deputeti i PD Selami.

Top Channel