Rregulla të reja për aplikimet për viza

24/09/2014 00:00

Që nga dita e enjte, secili qytetar i Kosovës, që i drejtohet ndonjë ambasade të huaj për të aplikuar për çfarëdo lloj vize, do të përballet me rregulla të reja.

Bashkimi Evropian ka vendosur një sistem të ri informativ të vizave, i cili do të nisë të aplikohet që nga e enjtja në të gjitha konsullatat e shteteve anëtare të Shengenit, që janë të pranishme në Kosovë, por e njëjta gjë vlen edhe për vendet e tjera të rajonit.

Sistemi i ri i vizave i detyron kosovarët që, kur të paraqesin aplikimin për vizë, të japin në konsullatën përkatëse edhe gjurmët e gishtërinjve, si dhetë bëjnë një fotografi dixhitale.

Këto të dhëna biometrike do të shërbejnë pastaj, përmes një baze të përbashkët të të dhënave, për të gjitha konsullatat e vendeve të BE-së në Kosovë, por edhe për të gjitha pikat kufitare në zonën Shengen.

Sipas një komunikate për media, të lëshuar nga zyra e BE-së në Prishtinë, nisja e funksionimit të këtij sistemi nuk do të zgjasë procesin e aplikimt për vizë, e as nuk do të paraqesë më shumë kërkesa.

Duke komentuar këtë risi, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se ky sistem i ri vizash i mundëson BE-së krijimin e një zone të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Sipas tij, sistemi i ri nuk është specifik për Kosovën, e cila duhet të plotësojë një sërë kërkesash të caktuara, para se Komisioni Evropian të mund të përfundojë dialogun për liberalizimin e vizave me qeverinë e Kosovës.

Top Channel