Ukraina, NATO: Trupat ruse po tërhiqen

24/09/2014 00:00

NATO ka vërejtur një tërheqje domethënëse të forcave ruse nga brenda kufirit ukrainas, por ende mbeten shumë trupa të stacionuara pranë kufirit lindor. Kështu është shprehur një zëdhënës i aleancës ushtarake gjatë së mërkurës.

“Po, ka pasur një tërheqje të rëndësishme të forcave konvencionale ruse nga Ukraina, por ende janë mijëra trupa të vendosur shumë pranë kufirit”, tha zëdhënësi Jay Janzen, në një përgjigje elektronike ndaj kërkesës së bërë prej “Reuters”-it për komente mbi këtë ngjarje.

“Kanë mbetur ende trupa brenda Ukrainës. Është e vështirë të përcaktohet numri, pasi separatistët pro-rusë kontrollojnë disa pika kufitare dhe trupat janë duke u kthyer mbrapsht në mënyrë rutinë. Për më tepër, ka ende forca speciale të Rurisë që operojnë në Ukrainë, por janë vështirë për t’u identifikuar”, tha ai.

Më 4 Shtator, një oficer ushtarak i NATO-s tha se Rusia kishte disa mijëra trupa luftarak dhe qindra tanke e autoblinda brenda Ukrainës, si dhe rreth 20 mijë ushtarë të dislokuar pranë kufirit me Ukrainën.

Vetëm 1 javë më parë, NATO njoftoi se Rusia kishte ende rreth 1 mijë ushtarë brenda Ukrainës, pavarësisht disa largimeve që prej nisjes së armëpushimit të 5 Shtatorit.

Janzen tha gjithashtu se janë vënë re reduktime të incidenteve, përfshi të shtëna artilerie, mes forcave ukrianase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

“NATO mirëpret këto shenja pozitive dhe inkurajon të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë drejt një zgjidhjeje paqësore të krizës”, tha ai, teksa sërish shprehu shqetësimin e NATO-s për numrin e madh të forcave ruse të vendosura përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.

Top Channel