Parlamenti do të votojë të enjten ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për dy anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi të KLD, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj.

Komisioni do të ketë 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita dhe do të drejtohet nga deputeti socialist Armando Subashi. Afati i funksionimit të tij do të jetë 1 muaj.

Deputetët e mazhorancës kanë identifikuar mbi 10 sheklje ligjore sipas tyre, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ku nënkryetari Çefa ka qenë pjesë e tyre me veprimet dhe mosveprimet në këtë këshill.

Shkeljet nisin që me promovimin e vetvetes nga ana e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku si rast flagrant mazhoranca renditi atë të emërimit të drejtorit të Shkollës së Magjistraturës.

“Fillimisht në KLD, Çefa, Leçaj dhe Pana votojnë Gjonin për anëtar dhe më pas, në Këshillin Drejtues të Magjistraturës, Gjoni dhe Çefa dhe Lalçaj propozojnë Panën për të votuar si drejtues të shkollës. Dhe në KLD ata emërojnë pikërisht Panën në krye të saj”, deklaroi deputeti Alfred Peza.

Mes rreth 10 shkeljeve, mazhoranca ka vendosur edhe mospërfshirjen në rendin e ditës në mbledhjet e KLD-së propozimet e ministrit Naço, në të paktën 20 raste kur është kërkuar proçedim disiplonor për gjyqtarët.

“Është një çështje që sa i takon proçedurës nuk është diskutuar sepse vendimmarrja i takon dikujt tjetër, presidentit të Republikës. Nuk kam vepruar sepse kam gjykuar se presidenti është në dijeni të çështjes dhe i takon atij”, sqaroi Çefa.

Shkelja e ligjit në rastet e mosemërimeve në kohë të kryetarëve të gjykatave, emërime të paligjshme në disa raste të tyre dhe një sërë vendimmarrjesh të tjera, në bindjen e mazhorancës kanë shkaktuar kaos dhe keqfunksionim të gjykatave dhe sistemit në tërësi.

“Ju kujtoj se këshilli është një organ kushtetues kolegjial, ku vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve të tij”, nënvizoi Çefa.

Por ajo me të cilën mazhoranca duket se nuk pajtohet është alibia e përgjegjësisë kolegjiale, duke përcjellë përmes ngritjes së komisionit hetimor për shkarkimin e anëtarëve të KLD edhe bindjen se çdo zyrtar i lartë mban përgjegjësi individuale në ushtrimin e detyrës që mban.

Top Channel