Franca fajëson Turqinë për “bllofin” me xhihadistët

24/09/2014 00:00

Një prej ministrave të kabinetit qeveritar francez ka kritikuar Turqinë, pas dështimit të planeve për të arrestuar disa xhihadistë të dyshuar, të cilët po ktheheshin nga Siria. Ata nuk ndaluan në destinacionin e parashikuar, por kishin ndërruar udhëtim…

Agjentët e sigurisë ishin duke pritur në një aeroport të Parisit, ndërkohë që 3 të dyshuarit zbritën në Marsejë, në Jug të Francës, ku arritën të largoheshin nga aeroporti të pasfiduar nga forcat e sigurisë.

Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, ka bërë të ditur se këtu ka ndodhur një ngatërresë. 3 të dyshuarit janë dorëzuar në policinë e qytetit jugor të Francës, dy prej të cilëve kanë lidhje me vrasësin masin islamik, Mohamed Merah, i cili u vra pas një ofensive të policisë në vitin 2012.

Ata të tre besohen se i përkasin një rrjeti rekrutimi xhihadistësh dhe konsiderohen të rrezikshëm nga shërbimet franceze të sigurisë, raporton media franceze.

Imad Djebali, një shok fëmijërie i Merah, u burgos me 4 vjet për terrorizëm në 2009-n, ndërkohë që Abdelouahed Baghdali, i cili është i martuar me motrën e Merah, Souad, njihet nga policia për lidhjet e tij me një shkollë islamike.

I treti, Gael Maurize, njihet nga inteligjenca franceze për “implikimin e tij në një rrjet xhihadistësh”, deklaron media franceze.

Sipas “Le Monde”, të tre ata u nisën drejt Sirisë në Shkurt për t’iu bashkuar grupit të Shtetit Islamik, por u zhgënjyen dhe iu dorëzuan policisë turke në kufi, në fund të Gushtit, duke kërkuar riatdhesimin në Francë. Ata u ndaluan për 3 javë për “shkelje të të drejtës për banim”.

Të martën, kapiteni i avionit që duhej t’i niste ata nga Stambolli drejt Parisit refuzoi t’i lejonte në bord, për shkak se atyre u mungonte dokumentacioni i nevojshëm nga Turqia. Ndërsa policia turke i kishte hipur në fluturimin e radhës, drejt Marsejës, pa informuar kolegët e tyre francezë.

Top Channel