Kur karakteret e Disney-t janë të dhunshme

24/09/2014 00:00

Karakteret e animuara të Disney-t i njohim si të dashura dhe argëtuese, por një çift spanjoll na tregon se dinë të jenë edhe të dhunshme nëse provokohen.

Një zënkë e çastit mes një kalimtari dhe një çifti të veshur me kostumin e Micky dhe Minnie, dy personazhe të famshme të Disney-t, e regjistruar në një nga sheshet e Madridit është filmuar nga një i pranishëm në vendngjarje.

Gjithçka ka nisur kur kalimtari u ka thënë dy “miushëve” që të punojnë në vend që të dalin si kllounë në rrugë në kërkim të parave.

Këtu ka nisur zënka. “Mickey” i zemëruar nga fjalët që dëgjoi nisi të godasë kalimtarin, ndërsa Minnie fillimisht ndërhyu për të shuar sherrin, por më vonë iu bashkua edhe vetë duke goditur të panjohurin.

Pak minuta më vonë mbërrin një efektiv policie që qetëson situatën dhe ul gjakrat.

 

Një zënkë e ngjashme, ndoshta akoma më e dhunshme është regjistruar në rrugët e Rusisë kur një drejtues automjeti zbret dhe i revoltuar i drejtohet drejtuesit të një minibusi, që sipas tij nuk po i hapte rrugën në parakalim.

Pas disa sekondash debat me drejtuesin, nga minibusi zbret “banda e personazheve Disney” që i jep një mësim të mirë nismëtarit të sherrit e më pas largohet me shpejtësi.

Top Channel