BE, super-operacion antikrim, 1 mijë në pranga

24/09/2014 00:00

Forcat e policisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë kryer mbi 1 mijë arrestime në kuadër të operacionit më të madh të koordinuar në histori kundër krimit të organizuar.

Të paktën 30 fëmijë rumunë janë shpëtuar nga trafikimi, ndërkohë që janë sekuestruar 200 kg heroinë dhe 600 kg kokainë.

Forcat e policisë në mbarë BE-në por dhe në vende të tjera jashtë saj kanë vepruar së bashku në kuadër të operacionit të koduar “Arkimedi”, i cili përfundoi ditën e martë dhe rezultatet u publikuan këtë të mërkurë.

Operacioni u organizua nga agjencia evropiane për zbatimin e ligjit, Europol, që arrestoi 170 persona në lidhje me trafikun e qënieve njerëzore. Gjithashtu, rreth 10 mijë emigrantë ilegalë iu nënshtruan kontrollit në kuadër të operacionit.

Përveç 28 vendeve anëtare të BE-së, në këtë aksion u përfshinë edhe agjenci policore nga 6 vende të tjera si: Australia, Kolumbia, Norvegjia, Serbia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara.

Drejtori i Europol, Rob Wainwright tha për mediat se operacioni zgjati 8 ditë dhe ishte më i madhi i kryer ndonjëherë në Evropë kundër krimit të organizuar.

Përmes tij u goditën shumë forma të kriminalitetit, që nga trafiku i drogës tek emigracioni ilegal, evazioni fiskal, falsifikimet dhe vjedhiet. Mes sasive të drogës së sekuestruar ishin edhe 1.3 ton kanabis.

Zoti Wainwright theksoi se ka një trend në rritje të viktimave që trafikohen në Evropë. Fëmijët shfrytëzohen për qëllime seksuale ose ekonomike, ndërsa ata më të rriturit për prostitucion apo për të lypur rrugëve, shtoi shefi i Europolit.

Operacioni masiv paraqet një pamje të bashkëpunimit ndërkufitar të rrjeteve kriminale të vendeve të ndryshme, komentoi aksionin korrespondentja e BBC, Anna Holligan. Gjithashtu, shtoi ajo, kjo valë e papreçedentë arrestimesh shërben për të siguruar qytetarët dhe për të frenuar kriminelët.

FOTO GALERI
1/6
Forcat speciale bullgare ne aksion

Top Channel