BlackBerry Passport, rivali i iPhone 6?

24/09/2014 00:00

Nëse do të ktheheshim pas në kohë, atëherë kur Steve Jobs prezantonte serinë e parë dhe të dytë të telefonave inteligjentë të Apple, rivali më i madh ishte Blackberry.

Kompania kanadeze kishte krijuar një identitet të vetin në treg dhe ishte zgjeruar falë këtij identiteti. Por me rritjen e konkurrencës dhe me hyrjen në lojë të Samsung dhe të kompanive të tjera, BlackBerry nisi të humbasë terren.

U përpoq për disa kohë të rivalizonte ndaj dy gjigantëve Samsung dhe Apple që zgjeroheshin vazhdimisht, por produktet tërhiqeshin me vështirësi nga tregu. Kishte nga ata që fajësonin mungesën e aplikacioneve, por të shumtë ishin edhe ata që u zhgënjyen me produktet Z10, ku kompania kanadeze iu bashkua aparatëve me prekje duke hequr dorë nga tastjera.

Kjo lëvizje u cilësua një strategji e gabuar dhe kreu i ri i BlackBerry, John S. Chen, që mori detyrën në kohën kur kompania ishte në prag falimentimi, tha se politika e tij e ringritjes qendronte tek rikthimi në identitet.

Nën këtë politikë drejtimi së shpejti pritet të dalë në treg BlackBerry Passport, telefoni inteligjent që mund të rivalizojë me prodhimet e fundit të Apple dhe Samsung.

Ende pa dalë mirë disa prej përparësive të BlackBerry Passport kanë nisur të qarkullojnë në internet. E para është bateria më jetëgjatë dhe ekrani 4.5 polësh, (iPhone 6 e ka 4.7 polësh), kamera gjithashtu pritet të jetë më e kthjellët dhe me rezolucion më të madh. Sa i përket sigurisë, kompania kanadeze ka emër për të dhe ky është një tjetër avantazh, por i shoqëruar pas me dizavantazhin që shumë aplikacione nuk janë të përshtatura ende për sistemet BlackBerry OS.

E në fund për të mos harruar avantazhin më të madh, çmimi që pritet të jetë rreth 200 dollarë më i lirë se iPhone 6.

Është ende shpejt për të folur nëse ky produkt me të cilin kompania kanadeze kërkon t’i rikthehet lavdisë së dikurshme, do të jetë ai i duhuri, ajo që mund të thuhet tani për tani është se pritshmëritë janë të larta.

Top Channel