Obama: Të shkatërrojmë rrjetin e vdekjes

24/09/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama, në një fjalim të mbajtur Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka bërë thirrje për një angazhim global për shkatërrimin e grupit terrorist ISIS, të cilin e ka cilësuar si “rrjetin e vdekjes”.

“Grupi terrorist i njohur si ISIS duhet të shkatërrohet. Aktualisht 40 vende i janë bashkuar koalicionit tonë. I kërkoj gjithë botës që të bashkohet në këtë përpjekje”, ka thënë Obama.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë kurrë në luftë me Islamin, duke nxjerrë në pah vlerat e këtij besimi. “Islami u mëson paqen miliona myslimanëve amerikanë që jetojnë në vendon tonë. Ky nuk është një konflikt mes qytetërimeve”, ka thënë ai.

Presidenti ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të dërgojë trupa amerikane “për të pushtuar toka të huaja”, duke nënvizuar se, “Amerika do të mbështesë irakenët dhe sirianët që luftojnë për të mbrojtur komunitetet e tyre”.

Ai ka saktësuar se, Amerika do të trajnojë dhe pajisë me armatime forcat që luftojnë ISIS dhe se do të veprojë duke ndalur fluksin e parave për financimin e këtij grupi dhe atë të luftëtarëve që shkojnë të luftojnë pranë tij.

“Nuk ka zot që të falë këtë terror. Nuk mund të arsyetohet e as të negociohet me këtë shenjë të së keqes. E vetmja gjuhë që këta terroristë kuptojnë është ajo e forcës”, ka thënë shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ai ka shprehur bindjen e tij se edhe komunitetet myslimane refuzojnë me forcë ideologjinë e Al Kaedës dhe ISIS dhe në këtë drejtim i ka drejtuar një apel të rinjve myslimanë, duke i ftuar që të respektojnë dhe nderojnë traditën e islamit.

Në fjalën e tij, presidenti i Shteteve të Bashkuara ka theksuar se edhe virusi i Ebolës dhe agresioni rus në Ukrainë janë çështje që kërkojnë zgjidhje.

Ai është shprehur tejet kritik ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë, duke thënë se agresioni i Moskës është shembulli i pastër se çfarë ndodh kur vendet nuk respektojnë ligjet ndërkombëtare.

Ai i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndjekë “shtegun e diplomacisë, paqes dhe idealet që Organizata e Kombeve të Bashkuara është e presupozuar të mbrojë”.

Nuk ka munguar edhe një apel për Iranin. “Mos lejoni që të humbisni këtë mundësi historike. Mund të gjejmë një zgjidhje që të plotësojë nevojën tuaj për energji dhe që të sigurojë botën se programi juaj bërthamor është paqësor”, ka thënë Obama.

Top Channel