Blloku opozitar kundër zgjedhjeve

24/09/2014 00:00

Koalicioni paszgjedhor në Kosovë, LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, edhe nëse ato janë alternativa e vetme për të dalë nga kriza politike.

I nominuari i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë se në seancën e re konstituive do të kërkojnë debat dhe do të gjejnë alternativë për të votuar kandidatin e bllokut për kryetar Parlamenti.

“PDK, në rast se ka dëshirë të shkojë në zgjedhje mund të shkojë sa herë të dojë. Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje, ajo e ka shumicën parlamentare. Pra, për t’u shpallur zgjedhjet do të duhej një konsensus i gjerë i spektrit politik dhe ne jemi kundër. Arsyeja pse jemi kundër është sepse ka një shumicë parlamentare”, ka thënë Haradinaj.

Blloku paszgjedhor po ashtu nuk dëshiron asnjë marrëveshje të gjerë që parashikon PDK-në dhe kryeministrin Hashim Thaçi në qeverisje.

Madje, Haradinaj ka thënë se partia e Thaçit po bën presion që t’i gjendet një vend në qeverisjen e re, por sipas tij një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Në takim me liderët e bllokut të mërkurën nuk ishte kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili për shkak të angazhimeve të tjera kishte dërguar përfaqësuesin e tij, deputetin Ismet Beqiri.

Ky i fundit përsëriti qëndrimet e LDK-së për qëndrueshmërinë e koalicionit paszgjedhor, ndërsa po ashtu pohoi se krerët politikë ditët e fundit kanë pasur takime me përfaqësues diplomatikë të disa vendeve të kuintit.

Përfaqësuesit e koalicionit janë deklaruar po ashtu pro idesë që ta takojnë presidenten Atifete Jahjaga sapo të kthehet nga vizita në SHBA, për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza politike.

Top Channel