Bejtja është një nga krijimtaritë më të veçanta në letërsi. Gjurmët e para të kësaj rryme të të shkruarit në Shqipëri janë në shekullin e XVIII. Pena e mprehtë e bejtexhinjëve është fokusuar gjithmonë tek ngjarjet e përditshme.

Bejtja, që në turqisht do të thotë vjershë, u bë dukuri e rëndësishme dhe pati përhapje të gjerë në qytete të ndryshme të vendit. Në krijimet e tyre, mjaft poetë bejtexhinj i kënduan dashurisë, bukurisë së natyrës e të gruas, lartësuan virtytin, punën, diturinë ose fshikulluan mburrjen e kotë për pasurinë, goditën ambicien, hipokrizinë etj.

Të tillë ishin Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Kyçyku etj. Të pasyqurar në bejte vijnë edhe elementë dhe ngjarje të jetës bashkëkohore. Hasan Zyko Kamberi apo Zenel Bastari, me nota realiste vunë në dukje jetën e vështirë plot vuajtje të masave të varfra të popullit, pasigurinë për të ardhmen dhe pakënaqësinë e tyre në kushtet e sundimit feudal.

Në vjershën “Tirana jonë si mësoi”, Zenel Bastari jep një tablo të tillë të gjendjes së popullit:

Ymrin (jetën) na e kanë shkurtue
Po na shtrydhin porsi rrush,
bytym kalbi (krejt zemra) na u coptue,
me vner shpirti u mbush.
Bukë pa bukë po rrojnë fakirat
Pa opinga, zbathë e zhveshë;
vetë janë mbulue me gjithë të mirat,
si katilët rrinë tue qeshë.

Bejtexhinjtë, megjithëse të paktë në numër, vazhdojnë të shkruajnë edhe sot. Humori i tyre i mprehtë i bën kurdoherë të lexuar.

Top Channel