Terrorizmi, Nju Jorku në alarm

24/09/2014 00:00

Shefi i policisë së Nju Jorkut, Bill Bratton ka dhënë alarmin për rrezikun që i kanoset qytetit nga terrorizmi islamik.

“Jemi në një nga periudhat më të rrezikshme, që nuk verifikohej që prej sulmeve të 11 shtatorit 13 vjet më parë”, ka thënë Bill Bratton.

Sipas zyrtarit të lartë, kërcënimi terrorist në Shtetet e Bashkuara dhe në veçanti në Nju Jork është i destinuar të rritet në javët dhe muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, edhe gjatë së mërkurës ka vijuar vala e sulmeve të koalicionit ndërkombëtar ndaj bazave të ISIS. Pentagoni ka konfirmuar se sulme të reja janë kryer në Siri dhe Irak kundër objektivave të Shtetit Islamik.

Sipas njoftimit të Departamentit të Mbrojtjes, një sulm është kryer në territorin sirian dhe 4 të tjerë në atë iraken, pranë qyteteve të Bagdadit dhe Erbilit.

Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në një intervistë për CNN hodhi poshtë akuzat e kujt pretendonte se bombardimet nuk kanë sjellë asnjë rezultat. “Ne i ndalëm ata, do të na sulmonin”, tha Kerry.

ISIS, që sa vjen e përhap më shumë terror në avancimin e tij në Irak dhe Siri, nisi një javë më parë një ofensivë në zonën Ain al Arab, me qëllim marrjen nën kontroll të këtij qyteti kurd, për të qenë sa më i pranishëm në territorin në kufi mes Turqisë dhe Sirisë.

Kjo ofensivë ka detyruar mbi 130 mijë civilë kurdë që në pak ditë të braktisin shtëpitë e tyre dhe të strehohen në Turqi.

Top Channel