Ekzekutohet pengu francez

24/09/2014 00:00

Një grup xhihadistësh algjerianë publikuan videon ku pretendohet ekzekutimi me prerje koke i Herve Gourdel, turistit francez të rrëmbyer të dielën që kaloi.

Besohet se grupi ka lidhje të forta me ISIS dhe të martën i dha Francës 24 orë kohë për të ndaluar sulmet ajrore në Irak, përndryshe do të ekzekutonte pengun.

Gourdel, 55 vjeç, u mor peng teksa po vizitonte Kabylie-n, rajon veri-lindor i Algjerisë. Javën e kaluar Franca iu bashkua koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar ISIS-in në Irak, ndërkohë që këtë javë sulmet u zgjeruan duke përfshirë edhe bazat e ekstremistëve në Siri.

Autoritetet franceze nuk kanë dalë ende me një deklaratë në lidhje me videon, ndërkohë që pritet që ajo të shqyrtohet nga specialistët për të vërtetuar origjinalitetin e saj.

Gourdel u mor peng vetëm pak orë pasi militantët e Shtetit Islamik paralajmëruan se do të vinin në shënjestër edhe Francën, pasi Parisi nisi sulmet ajrore ndaj tyre në Irak.

“Një bashkëkombas francez është marrë peng të dielën në Algjeri, në rajonin Kabylie, teksa ishte atje për pushime”, deklaroi Ministria e Jashtme franceze, po të dielën.

Javën e shkuar zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Muhammad al-Adnani, u kërkoi ndjekësve të ISIS të sulmojnë shtetas amerikanë, francezë dhe vendeve të tjera, të cilat i janë bashkuar koalicionit për të shkatërruar grupin ultra-radikal.

Zona ku u mor peng francezi është një rajon malor që ka qenë dikur bastion i luftëtarëve islamik. Dega e al-Qaedas në Afrikën Veriore (AQIM) dhe grupe të tjera terroriste janë ende aktive në Algjeri.

Top Channel