BSH nuk ndryshon normën bazë të interesit

24/09/2014 00:00

Pas shkarkimit të guvernatorit Fullani dhe inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë dhe pas dorëheqjes se Ardian Civicit si anëtar i Këshillit Mbikëqyres, ky i fundit është mbledhur mesditën e së mërkurës ku mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare.

Me anë të një njoftimi për shtyp mësohet se, pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%.

“Në gjykimin e Këshillit, qëndrimi i politikës monetare dhe kushtet financiare janë të përshtatshme për të siguruar kthimin e inflacionit në objektiv brenda një periudhe afatmesme”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua dhe lidhur me inflacionin vjetor të çmimeve të konsumit, i cili rezultoi 2% në muajin gusht, duke shënuar rritje për të dytin muaj radhazi.

“Rritja e inflacionit gjatë dy muajve të fundit është në përputhje me pritjet tona për një konvergjencë graduale të tij drejt objektivit 3%. Megjithatë, ritmi i rritjes së inflacionit gjatë kësaj periudhe është ndikuar edhe nga efekti statistikor i çmimeve të ulëta të vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, ky ndikim pritet të moderohet në muajt e ardhshëm dhe për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se shpejtësia e rikthimit të inflacionit në objektiv do të jetë më e ulët se ajo e sugjeruar nga dinamika e dy muajve të fundit.

Po ashtu u diskutua dhe mbi rritjen ekonomike, e cila është nxitur nga një ecuri më e mirë e kërkesës së brendshme private. “Konsumi dhe investimet private vlerësohet të jenë rritur, duke reflektuar përmirësimin e besimit të individëve dhe të bizneseve, kushtet më të mira të financimit në tregjet financiare dhe forcimin e bilanceve në ekonomi”, vëren raporti.

“Megjithatë, ecuria e konsumit dhe e investimeve private mbetet ende e brishtë, për sa kohë që ajo nuk mbështetet nga përmirësime të qëndrueshme në tregun e punës, nga një ecuri më e mirë e ekonomisë botërore dhe nga rritje solide e burimeve të financimit, duke përfshirë investimet e huaja direkte dhe kredinë e sistemit bankar”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Top Channel