Sherri në Kuvend, Rama: Nuk pengojmë prokurorinë

24/09/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook mbi vënien nën akuzë të dy deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu për goditje për shkak të detyrës ndaj deputetit demokrat, Gent Strazimiri.

Rama shkruan se akuzat e ngritura janë “në përpjestim të zhdrejtë me atë që prokuroria ka bërë deri më tani mbi disa çështje të rëndësishme”.

“Në historinë e një vendi ku goditja për shkak të detyrës ka çuar në vrasje me plumba në mes të bulevardit, në rrahje masive me pasojë jo thjesht skuqjen e pjesëve lakuriqe të kokës, po përgjakjen e shumë njerëzve, por ku s’është parë ende asnjë pasojë penale për përgjegjësit, hapi i hedhur nga prokuroria në drejtim të dy deputetëve të shumicës parlamentare ngjan në përpjestim goxha të zhdrejtë me vendnumëronë e organit të akuzës mbi një sërë çështjesh të mëdha penale”, shkruan ai.

Sidoqoftë, shton Kryeministri, ne, shumica qeverisëse, nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj apo të përdorim policinë, siç kanë bërë paraardhësit tanë, për t’iu shmangur drejtësisë duke e penguar me përdhunë prokurorinë të bëjë detyrën.

“I siguroj të gjithë se ky do të jetë qëndrimi ynë në çdo rast që organi i akuzës do të ngrejë pandehma të kompetencës së vet ligjore, ndaj kujtdo që përfaqëson koalicionin tonë në qeveri, parlament apo pushtetin vendor. Prokurorinë në këtë vend e kanë penguar prej shumë vitesh shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e kurajos dhe integritetit të shumëkujt brenda saj. Por prej një viti i është hequr një pengesë e lartë: Qeveria!”, shton Rama.

Top Channel