Rama shpërndan 1 mijë tapi në Durrës

24/09/2014 00:00

Plot 1 mijë qytetarë të Durrësit morën këtë të mërkurë çertifikatën e legalizimit të banesës, në ceremoninë e quajtur “Dita e 1.000 Lejeve”.

Kryeministri Rama tha se kjo nuk është një shfaqje elektorale, por për të realizuar një premtim të dhënë nga kjo mazhorancë. Në 8 vitet e qeverisë së shkuar, tha Rama, në Durrës u dhanë vetëm 2.407 leje.

“Nga 2.407 legalizime të bëra në 8 vitet e kaluara, pjesa dërrmuese nuk janë për familjet që lëvizën nga vende të varfëra e që erdhën rreth Durrësit për të ngritur një strehë për familjen e tyre. Por janë për bizneset, për ata që zaptuan plazhet dhe buzët e rrugëve për të ndërtuar objekte me qëllim fitimi”, deklaroi Rama.

Rama u dërgoi një mesazh të gjithë atyre që kanë ndërtuar afër rrugëve, traseve të hekurudhave apo veprave të tjera publike, se keto objekte nuk do të legalizohen. Sipas kreut të qeverisë, rishikimi i buxhetit parashikon edhe investime në atë që njihet si ish-zona e kënetës së Durrësit.

“Do të miratojmë në Parlament një program plus investimesh për muajt e mbetur dhe një nga pjesët e këtij programi është një investim i fortë që do të bëjmë në ish-zonën e kënetës së Durrësit, ose Durrësi i Ri, siç i thoni ju. Kur të bëjmë ndërtimet, kopshtet e çerdhet, atëherë do të jetë Durrësi i ri”, tha Rama.

Paralel me legalizimet, ministrja Eglantina Gjermeni tha se do të vijohet me urbanizimin e zonave informale. Ndërkohë, kreu i ALUIZN-it, Artan Lame tha se bashkë me këtë proces njerëzit po kërkojnë punësimin dhe urbanizimin e këtyre zonave, gjë që sipas tij do të jetë detyrë e qeverisë në vazhdim.

Top Channel