Akuzat për deputetin Astrit Veliaj

24/09/2014 00:00

Dy ndërtime të mëdha në qytetet e Beratit dhe atë të Fierit rezultojnë si ndërtime pa leje dhe kanë qenë në pronësi të deputetit demokrat Astrit Veliaj.

Por kësaj radhe ai do të dalë para Gjykatës së Lartë për ndërtimin e paligjshëm në Fier, qytet ku Veliaj akuzohet se ka i zaptuar 11 mijë metra katrorë tokë një banoreje, por edhe sepse ka shkatërruar pronën shtetërore duke qenë se një pjesë e objektit që ka ndërtuar ka dëmtuar një godinë që ishte pronë e Ministrisë së Brendshme.

Sipas prokurorisë, në këtë hapësirë të zënë prej tij është ndërtuar një godinë e madhe, e gjitha pa asnjë leje nga pushteti vendor.

Por një histori të ngjashme ka edhe ndërtimi në qytetin e Beratit, ku ish-ndërtesa e maternitetit është marrë prej kompanisë “UFO Shpk”, me synimin për ta kthyer në universitet.

Pas një përplasjeje të vazhdueshme me Bashkinë e qytetit të Beratit dhe me policinë bashkiake atje, ndërtimi është bërë pa leje nga ana e “UFO Shpk” dhe çështja mbërriti në gjykatë, e cila në vitin 2011 e gjobiti me 1 milion lekë ndërtuesin, por nuk dha vendim për fatin e godinës, e cila përfundoi më pas dhe aktualisht funksionon si universitet.

“UFO Shpk”, pa asnjë leje nga Bashkia e Fierit, ndërtoi edhe në këtë qytet. Për të dyja akuzat, prokuroria thotë se ka prova për ta marrë si të pandehur deputetin Astrit Veliaj.

Organi i akuzes shton se shpërdorimi i tokës në kundërshtim me destinacionin e saj përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Top Channel