A do të vijojë bojkoti i opozitës?

25/09/2014 00:00

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli për zhvillimet e fundit politike në vend, për hetimin që prokuroria nisi ndaj dy deputetëve të Partisë Socialiste, si edhe për qëndrimin që do të mbajë PD-ja në lidhje me pjesëmarrjen në parlament pas ngjarjeve të fundit.

Deputetja e Partisë Demokratike u shpreh se pjesëmarrjen në kuvend PD-ja e ka konsultuar në disa prej forumeve të saj, si edhe në kryesinë e grupit parlamentar, sipas zonjës  Tabaku, pjesëmarrja do të jetë sërish subjekt diskutimi në këto forume.

Pandi Gjata: Tashmë prokuroria ka nisur hetimin për dy deputetët e PS-së për dhunë ndaj deputetit demokrat, Strazimiri, kjo ishte ajo që ju kërkonit prej kohësh. A është ky momenti që PD-ja të rishikojë qëndrimin e saj mbi pjesëmarrjen në Parlament?

Jorida Tabaku: Pati një reagim nga prokuroria si rezultat i kallëzimit të bërë nga kryetari i PD-së dhe si rezultat i kallëzimit të deputetit Strazimiri. Për shumë persona ajo ngjarje ishte një pikëpyetje e madhe se çfarë kishte ndodhur, pasi atje nuk lejohen kamerat televizive, por video e cila doli hodhi dritë mbi situatën. Në një farë mënyre është vënë në pikëpyetje çdo gjë e thënë, të paktën nga deputetët e mazhorancës që kanë qenë pjesë e këtij sulmi. Pjesëmarrjen në kuvend PD-ja e ka konsultuar në disa prej forumeve të saj, në kryesinë e grupit parlamentar, sigurisht që do të jetë subjekt i diskutimit në të njëjtët forume.

Pandi Gjata: Ju bëra këtë pyetje, pasi bojkoti erdhi pas ngjarjes me deputetin Strazimiri.

Jorida Tabaku: Forumet e PD-së diskutuan në lidhje me këtë çështje. Nga njëra anë kemi një vendim të prokurorisë, por nga ana tjetër kemi një heshtje totale të qeverisë. Sot patëm një reagim edhe të Kryeministrit Rama, të cilin nuk po e kuptoja se ku donte të dilte. Por ajo që ne kemi kërkuar gjatë kësaj kohe është që të ndryshojnë kushtet në parlament, deri tani nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim. Në ditët në vijim forumet përkatëse të PD-së do të marrin vendimin e tyre.

Pandi Gjata: Keni kërkuar thellim të hetimeve, madje edhe përfshirjen e Kryeministrit Rama, të cilin ju e quani urdhërues të dhunës. Në kallëzimin që zoti Paloka ka bërë në datën 4 korrik janë kallëzuar dy deputetët e PS, nuk ka një kallëzim për Kryeministrin Rama.  

Jorida Tabaku: Normalisht që është subjekt i hetimit të prokurorisë. Unë shpresoj që prokuroria ta vazhdojë punën e saj deri në fund. Unë kam qenë prezente dhe shpesh herë gjërat janë shumë reale kur je në vendngjarje dhe nuk duken kaq reale kur i sheh nëpërmjet kamerave. Pamjet tregojnë që sulmi ishte i orkestruar. Tani është në vullnetin e prokurorisë, nëse do të hetojë vetëm këto dy persona apo dhe porositësit e sulmit. Prokuroria duhet të na tregojë që ka vullnetin për ta çuar një çështje deri në fund.

Pandi Gjata: Në seancën e sotme do të merret vendimi për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për të shkarkuar nënkryetarin dhe një anëtar të KLD-së. Gjithashtu kemi edhe rishikimin e buxhetit, i cili kalon po sot në parlament. Edhe për këto dy ngjarje PD-ja do të qëndrojë jashtë parlamentit?  

Jorida Tabaku:  Një nga propozuesit për ndryshimet në KLD ishte njëri nga personat që akuzohet dhe që ka pasur probleme me sistemin e drejtësisë. Kjo vë në pikëpyetje të gjithë atë që mazhoranca kërkon të bëjë. Nga ana tjetër, ne jemi përpjekur që për reformën në drejtësi të japim propozimet tona dhe të mos e konsiderojmë  reformën në drejtësi kapje të disa institucioneve apo ndërrimin e me disa të tjerë. Kryeministri e ka thënë shpesh që nuk bëhet fjalë për individin, por për sistemin. Edhe propozimet tona kanë qenë për sistemin, për ta parë atë si një të tërë.

Pandi Gjata: Pak më parë prekëm edhe rishikimin e buxhetit. Qeveria thotë se do të bëjë një rishpërndarje të saj në drejtim të investimeve, pasi të ardhurat janë rritur. Cili është qëndrimi i PD-së? Pse e kundërshtoni këtë rishpërndarje të buxhetit?

Jorida Tabaku:  FMN-ja lëshoi një deklaratë në lidhje me disa orientime kryesore që duhet të marrin qeveria mbi të ardhurat dhe shpenzimet në buxhet. Dhe kjo është në unison me atë që ne kemi thënë në dhjetor dhe me situatën aktuale që ne ndodhemi. Akti normativ bën vetëm një rishikim, ku në disa raste ka vetëm ulje. Ulen shpenzimet për bujqësinë, për infrastrukturën rrugore, për arsimin profesional. Edhe një sërë të ardhurash janë në rënie, si për shembull taksat e reja që u rritën në dhjetor. Me të dhënat zyrtare të Ministrisë së financave dhe me të dhënat zyrtare të prezantuara nga qeveria vërtetohet se e gjithë barra fiskale e rritur shtesë i ka shkuar qytetarit.

Top Channel