Nis rikonstruksioni i shkollave

25/09/2014 00:00

7 shkolla në Librazhd dhe Prrenjas do rikonstruktohen totalisht pasi gjendja e tyre paraqitet e papërshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Në fshatin Pishkash shkolla 9-vjeçare qëparaqitej në gjendje të mjerueshme tashmë i është nënshtruar rikontruksionit të plotë.

Artur Leka, drejtor i shkollës, thotë: “Sot po bëhet realitet ëndrra e kolektivit. Ka nisur rikonstruksioni që edhe ne të plotësojmë standartet e mësimdhënies.”

“Pas kaq vitesh është hera e parë që bëhet një investim në këtë fshat. Rikonstruksioni do të jetë i plotë”, u shpreh Fatmir Kryeziu, kryetari i Komunës Qukës.

Deputeti Taulant Balla, i cili herë pas here pati denoncuar gjendjen e institucioneve arsimore në zonën e tij, tha se puna e nisur nuk është e mjaftueshme, por vitin e ardhshëm synohet të investohet në të gjitha shkollat e rrethit të Librazhdit.

“Janë 7 objekte mësimore në rrethin e Librazhdit që kanë nisur ndërtimin apo rikonstruksionin. Ende ka objekte të tjera që gjenden në situatë të keqe”, thekson zoti Balla.

Në shkollën 9-vjeçare të fshatit Pishkash mësojnë 120 fëmijë. Deri tani mësimi në këtë shkollë kryhej pa bazë materiale, pa xhama dhe tualete. Në këtë shkollë sa herë binte shi, nxënësit detyroheshin të ndërprisinin mësimin pasi i gjithë uji depërtonte në ndërtesë dhe as mund të flitej për ambiente interneti.

Top Channel