Vlorë, burg pa afat për 17-vjeçarin që plagosi shoqen e klasës

25/09/2014 00:00

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë burg pa afat për 17-vjeçarin Aldar Arshiaj. Adoleshenti plagosi me armë shoqen e klasës në shkollën e fshatit Gjormë pasi vajza i kishte refuzuar dashurinë.

Nxënësja 17-vjeçare Emliha Totaj, nxënëse e vitit të tretë të shkollës së mesme “Halim Rrapi” në fshatin Gjormë, mësohet se është qëlluar disa herë me pistoletë nga bashkëmoshatari Arishaj, por dy plumba e kanë kapur në trup, duke e lënë të plagosur rëndë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mësimit.

Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se 17-vjeçari Aldar Arshiaj, sapo ka hyrë në shkollë, i ka kërkuar nxënëses Emliha Totaj, të shkonin bashkë në katin e dytë të shkollës, në një klasë të boshatisur, për të sqaruar një mosmarrëveshje që kishin mes tyre. Vajza ka pranuar me vështirësi ftesën e bashkëmoshatarit dhe më pas ka shkuar për të biseduar në një prej klasave të katit të dytë. Pas pak minutash të shoqëruara me debate mes tyre, djaloshi mendohet se ka goditur vajzën me grusht dhe më pas ka nxjerrë pistoletën, duke e kërcënuar me jetë. Vajza e tronditur, duke qarë, ka dalë nga godina e shkollës, por është ndjekur nga djali, i cili e ka qëlluar me pistoletë nga pas disa herë 17-vjeçaren.

Si pasojë e disa të shtënave, vajza është plagosur me dy plumba, një e ka kapur në anë të kokës dhe tjetri e ka kapur në krah. Nga plumbat e marrë, vajza ka rënë në tokë dhe të gjithë kanë menduar se ajo vdiq. Pasi 17-vjeçari ka parë vajzën të mbuluar me gjak, ka marrë makinën e tij që e mbante në oborrin e shkollës dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Top Channel