“Business Guide Albania”

25/09/2014 00:00

Botimi i pesëmbëdhjetë i guidës së biznesit “Busines Guide Albania” mblodhi së bashku politikanë, personalitete dhe sipërmarrës vendas e të huaj, të interesuar për të sjellë investimet e tyre në Shqipëri. Për zëvendëskryeministrin Niko Peleshi vendi vuan nga mungesa e promovimit të potencialit ekonomik por në të njëjtën kohë thekson se duhet ende punë për të bërë Shqipërinë në një vend sa më tërheqës për investitorët e huaj.

“Jemi në proces intensiv të rishikimit të legjislacionit në mbështetje të investimeve strategjike për vendin siç janë energjia dhe turizmi. Synojmë të reduktojmë burokracinë dhe mbi të gjitha t’i japim investimeve private atë çka është shumë e domosdoshme, paraëshikueshmërinë”, tha zoti Peleshi.

Duke vlerësuar progresin e kryer nga Shqipëria, ambasadori Gaiani rikujtoi mesazhin e dhënë nga Papa Françesku të dielën se Shqipëria është një vend europian.

“Kjo është mishëruar jo vetëm në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor, të merituar plotësisht dhe të mbështetur nga Italia, por edhe me vizitën e Papës. Kësaj vëmendje Shqipëria i është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme duke u prezantuar si një vend mikpritës, i organizuar dhe thellësisht europian, këtë e tha Papa dhe duhet ta përsërisim të gjithë”, deklaroi Massimo Gaiani, ambasador i Italisë në vendin tonë.

Guida e hartuar nga studio ligjore “Tonucci” bën një fotografi të zhvillimit ekonomik e social të vendit dhe përbën një informacion të rëndësishëm për investitorët veçanërisht në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe infrastrukturës, bankar, prodhues dhe të shërbimeve.

Top Channel