SHBA, Nishani takon Bill Klinton

25/09/2014 00:00

Vazhdon vizita zyrtare e kreut të shtetit shqiptar në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, ku është takuar me personazhe dhe politikanë të
njohur të këtij vendi.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ishte sot i ftuar nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Takimin e Dhjetë të Nismës Globale Klinton, që zhvilloi punimet në Nju Jork, nga 21-24 shtator 2014.

Në sesionin plenar të mbylljes të kësaj veprimtarie të rëndësishme e të përvitshme me temë: “Riimagjinimi i ndikimit”, që trajtoi bazuar në përvojën, se si i vlerësojnë anëtarët e kësaj nisme rezultatet e përkushtimit të tyre, si i shfrytëzojnë sukseset dhe mësojnë nga dështimet për të nxitur qasjet paraprirëse që ndikojnë në krijimin e vlerave dhe në zhvillimin e botës, ish-presidenti Klinton, përshëndeti presidentin Nishani për praninë në këtë sesion.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ish-presidenti Klinton vuri në dukje gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë gjatë presidencës së tij dhe theksoi, se koha ka provuar se sa i drejtë ishte vendimi amerikan për të vepruar energjikisht për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga dhuna dhe gjenocidi serb.

Top Channel