Itali, mafiozëve nuk i konfiskohen pasuritë, por fëmijët

25/09/2014 00:00

Në fillim Italia i luftonte bosët e mafias duke i konfiskuar pasurinë, ndërsa tani gjykatësit kanë gjetur një mënyrë tjetër: i “konfiskojnë” djemtë.

Riccardo Cordi, një i ri 18-vjeçar, është pioneri i strategjisë së re së luftës kundër mafias që parashikon largimin e djemve nga familjet mafioze në Kalabri. Në moshën 16-vjeçare, Riccardo dukej se do të ndiqte hapat e babait të tij (një bos i vrarë me armë zjarri) dhe tre vëllezërve më të mëdhenj (të gjithë në burg).

Por, kur Riccardo u arrestua për tentativë vjedhjeje, gjykatësi Roberto Di Bella dha këtë vendim: djali do të largohej nga Kalabria derisa të mbushte 18 vjeç. Ky gjykatës kishte futur në burg tre vëllezërit e Riccardos dhe vendosi që të atij t’ia kursente të njëjtin fat.

Ai u dërgua në një shkollë riedukimi me rregulla shumë strikte dhe në një intervistë për ‘Associated Press’, Riccardo thotë: “Ishte shumë e vështirë, numëroja ditët. Nuk dilnim në mbrëmje, duhej të rregullonim vetë shtratin dhe duhet të hanim të gjithë bashkë në një orar të caktuar.”

Me ndihmën e psikologut Enrico Interdonate, i riu kuptoi rreziqet e një jete të lidhur me krimin e organizuar dhe tashmë ka ndryshuar plotësisht. Në një letër për ‘Corriere della Sera’ në muajin maj, Riccardo shkruante se nuk e mohonte familjen e tij, por tani ishte gati për një jetë të “pastër”.

Top Channel