Të mërkurën nisi në Bukuresht procesi gjyqësor i Alexandru Visinescut, ish-drejtori i një kampi të kohës së komunizmit në Rumani, i akuzuar për krime kundër njerëzimit.

I pari gjyq i këtij lloji, i quajtur nga disa si “Nurembergu i Rumanisë”, e vendos Visinescun 88-vjeçar në bankën e të akuzuarve për rrahjet çnjerëzore e lënien pa ushqim të të burgosurve, në burgun famëkeq të “Ramnicu Sarat”.

Të paktën 14 vetë vdiqën prej abuzimeve në këtë institucion ndëshkimor, të cilin ai e drejtoi nga viti 1956 deri në 1963-shin. Në mesin e të burgosurve të asaj periudhe kishte intelektualë, priftërinj e politikanë.

Visinescu u paraqit në seancën gjyqësore për të dëgjuar aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe nuk bëri asnjë koment. Gjyqi konsiderohet një hap historik, sa i takon trajtimit të krimeve të kryera në Rumani, me bekimin e qeverisë komuniste.

600 mijë vetë besohen të jenë burgosur atje nga autoritetet komuniste, në harkun kohor të viteve 1947-1989 dhe Alexandru Visinescu është i pari nga 35 personat, që ekzekutivi rumun ka ndërmend të nxjerrë në gjyq për akuza të ngjashme.

Hetuesit e krimeve politike të asaj kohe në Rumani e përshkruan procesin si një fitore morale të drejtësisë. Nëse shpallet fajtor, Visinescu rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

Top Channel