Rreshtimi i Bosnje-Hercegovinës në krahun e shteteve të koalicionit anti-ISIS, për ekspertët e vendos vendin përballë sfidash të mëdha të sigurisë.

Roli i saj në koalicion nuk është ende shumë i qartë. Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 200 burra dhe gra nga Bosnja kanë udhëtuar drejt Sirisë, për të luftuar në krah të ekstremistëve.

Të paktën 20 qytetarë boshnjakë janë vrarë atje. Arrestimi i 16 personave, në kuadër të operacionit të koduar “Damasku”, është për autoritetet vendase një tjetër tregues i faktit, se mbështetesit e ISIS-it në Bosnje përbëjnë një kërcënim potencial të sigurisë, ndaj të cilit nuk mund të luftohet vetëm me forcën e policisë.

Ekspertët këshillojnë të punohet në disa rrafshe, siç është forcimi i familjes, shërbimeve sociale, institucioneve arsimore, mediave, komuniteteve fetare, me qëllim që të rinjtë në mënyrë të veçantë, të mos e konsiderojnë më joshës mendimin e të shkuarit në Siri për të marrë pjesë në një luftë, e cila nuk është as e tyrja.

Duhet të krijojmë kushtet, që të rinjtë ta shohin të ardhmen e vet në Bosnje e jo jashtë saj, thonë ata. Edhe përpara daljes në skenë të ISIS-it, grupet radikale në Bosnje-Hercegovinë kanë qenë një kërcënim për sigurinë, që nuk mund të injorohej.

Këtë e dëshmuan edhe sulmet terroriste në stacionin policor, në Bugojno dhe në ambasadën amerikane në Sarajevë. Megjithatë, në rastin e Shtetit Islamik kërkohen përpjekje të përbashkëta ndërkombëtare për goditjen e grupit ekstremist dhe në përgjithësi sfida të tilla të terrorizmit, të cilat shtetet nuk janë gjithmonë në gjendje t’i zgjidhin të veçuar.

Top Channel