Linja energjitike Kosovë-Shqipëri

25/09/2014 00:00

Qeveria e Kosovës po vazhdon punën për krijimin e kushteve, që të përfundojë sa më parë ndërtimi i linjës energjitike 400 kW, që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Në mbledhjen e së enjtes, kabineti qeveritar i ka dhënë dritën jeshile Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për shpronësimet e pronave, që preken nga projekti energjitik.

Zëvendësministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka thënë se shpronësimet do të prekin pronat në segmentin e dytë të projektit, që është 32 kilometra dhe përfshin komunat e Malishevës dhe Drenasit.

Ofrimi i shërbimit me gjuhën e shenjave
Kosovë, miratohet rregullorja për personat që nuk dëgjojnë

Kabineti qeveritar, po ashtu, ka miratuar një projektrregullore, përmes së cilës rregullohet ofrimi i shërbimeve në gjuhën e shenjave. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se me këtë projektrregullore përcaktohet qasja në shërbimet e interpretimit, nëpërmjet interpretëve të gjuhës së shenjave për persona të shurdhër në Kosovë.

“Qëllimi i kësaj rregullore ka për detyrë, që të implementojë programin kombëtar për zyrtarizimin e gjuhës së shenjave. Dhe, në thelbin e tij ka për qëllim, që t’u komunikojë dhe t’i japë mundësi këtij komuniteti, që të gëzojë të drejtat e plota të njeriut. Njëkohësisht, të njihen edhe me të drejtat e tyre dhe me zhvillimet e tjera, që ndodhin në vendin tonë”, tha Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër.

Qeveria ka formuar gjithashtu një komision “ad-hoc” për identifikimin dhe rekomandimin e kandidatëve për anëtar të komisionit, për hetimin e aksidenteve aeronautike.

Top Channel