Ukrainë, Poroshenko: Kriza thuajse ka kaluar

25/09/2014 00:00

“Pjesa më e rrezikshme” e konfliktit të Ukrainës në Lindje tashmë ka marrë fund. Kështu është shprehur Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, i cili ka shtuar gjithashtu se “nuk kishte aspak dyshim se plani i tij i paqes do të funksiononte”, duke iu referuar marrëveshjeve me rebelët pro-rusë këtë muaj.

Ai zbuloi më tej një plan reformues gjithëpërfshirës, për ta çuar Ukrainën drejt një situate të gatshme për të aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2020.

Rusia ka mohuar gjithnjë furnizimin e rebelëve me armë apo dërgimin e trupave ushtarakë në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, ndërsa gjatë krizës që nisi prej muajit Prill kanë mbetur rreth 3200 persona të vrarë.

Rusia aneksoi në Mars gadishullin jugor të Ukrainës, Krimenë, një lëvizje që u dënua gjerësisht si nga Ukraina edhe nga Perëndimi. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara morën më pas vendime për t’i vendosur sanksione Rusisë, për shkak të rolit të saj në konfliktin e Ukrainës.

“Nuk kam dyshime se pjesa më e madhe dhe më e rrezikshme e luftës tashmë është hedhur pas krahëve, falë heroizmit të treguar nga ushtarët ukrainas”, tha Poroshenko për reporterët gjatë një konference për shtyp në Kiev.

Ai shtoi më tej se e mërkura ishte dita e parë, pas shumë muajsh, gjatë së cilës nuk u shënua asnjë viktimë në këtë konflikt. Ai e përshkroi atë si ditën e parë të vërtetë të paqes dhe armëpushimit.

Gjithsesi, Poroshenko deklaroi se jo të gjitha kushtet e armëpushimit të 5 Shtatorit dhe memorandumit të javës së kaluar janë përmbushur. Ai theksoi se më shumë se 700 të burgosur ukrainas janë ende nën duart e separatistëve, pavarësisht se ishte rënë dakord paraprakisht për këmbim të burgosurish “të gjithë rusët për të gjithë ukrainasit”.

Një paqe e brishtë është mbajtur gjatë kësaj kohe, por si qeveria ukrainase, ashtu dhe rebelët kanë akuzuar njëri-tjetrin për bombardime të reja.

Të mërkurën, NATO tha se kishte vënë re një tërheqje “domethënëse” të trupave rusë nga Lindja e Ukrainës, por shtoi se disa forca janë ende brenda kufirit.

Në Kiev, Poroshenko shpalli gjithashtu edhe programin e reformave të tij, të titulluar “Strategjia 2020”, në të cilën prioritete janë lufta ndaj korrupsionit dhe reformat e taksave, ekonomike dhe të sistemit të drejtësisë.

Top Channel