Cameron: Britania do luajë rolin e saj kundër ISIS

25/09/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar është gati të luajë rolin e saj në luftën kundër Shtetit Islamik, të cilin e quajti “një të keqe kundër të cilës duhet të bashkohet gjithë bota”.

Duke folur në selinë e OKB-së në Nju Jork, kryeministri tha se gabimet e së kaluarës nuk duhet të kthehen në justifikim për të mos vepruar.

Ai foli teksa avionët amerikanë dhe ata arabë bombardonin bazat e Shtetit Islamik në Siri, pas nisjes së operacioneve ditën e martë.

Në fjalimin e tij, zoti Cameron tha gjithashtu se qeveria irakene ka bërë një “kërkesë të qartë” për asistencë ushtarake ndërkombëtare kundër ISIS-it, që ka marrë nën kontroll zona të gjera në Irak dhe Siri në muajt e fundit.

“Ky është një referim i qartë ndaj ligjit ndërkombëtar për ndërhyrje ushtarake”, deklaroi Cameron. Ai u shpreh kundër opsionit që vendet perëndimore të dërgojnë trupa ushtarake në terren për të luftuar, por theksoi se ka vend për aksion nga forcat e armatosura.

“Përveç sulmeve ajrore, fuqitë perëndimore mund të pajisin, trajnojnë dhe të mbështesin ata që po luftojnë në vijën e frontit për të mbrojtur shoqërinë, vendin dhe lirinë e tyre”, deklaroi Cameron.

Ai shtoi se ISIS ka masakruar njerëz të çdo feje dhe ka plane vrastare për të zgjeruar kufijtë e tij përtej Irakut dhe Sirisë, si dhe të kryejë masakra terroristë në mbarë botën.

Kabineti qeveritar i Mbretërisë së Bashkuar do të diskutojë planet për sulme ajrore kundër ISIS në Irak më vonë gjatë ditës, ndërsa Parlamenti pritet të votojë ditën e premte.

Pesë civilë dhe 14 luftëtarë të ISIS u vranë së fundmi në lindje të Sirisë, sipas grupit aktivist Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Mes tyre kishte edhe xhihadistë britanikë.

Vetë kryeministri Cameron konfirmoi se grupi terrorist ka rekrutuar luftëtarë nga e gjithë bota, 500 prej të cilëve nga Mbretëria e Bashkuar.

Top Channel