Kërkohet rritja e çmimit të energjisë

25/09/2014 00:00

Tre kompanitë publike të sektorit energjetik KESH, OST dhe Operatori i
Shpërndarjes kanë nisur zyrtarisht procesin për rishikimin e çmimeve të
energjisë.

Burime nga Enti Rregullator konfirmuan për Top Channel, se pranë këtij institucioni ka mbërritur kërkesa e të paktën një prej kompanive për rritjen e çmimit, ndërkohë që janë në proces hartimi kërkesat e dy kompanive të tjera.

Në bazë të ligjit, tre kompanitë publike që përbëjnë sistemin energjetik, duhet që brenda muajit shtator të çdo viti të dorëzojnë pranë Entit kërkesat për tarifat e reja të energjisë, që aplikohen vitin e ardhshëm.

Në të shkuarën kërkesat e tyre kanë qënë në pjesën dërrmuese te rasteve për rritje të cmimeve dhe kjo pritet që të ndodhë edhe këtë vit. Çmimet e reja të energjisë elektrike që enti duhet të miratojë për vitin e ardhshëm janë shndërruar në një çështje të nxehtë debati publik, por jo vetëm. Duket se ato janë dhe një nga pikat më të nxehta të negociatave mes Fondit Monetar dhe qeverisë shqiptare. FMN kërkon rritjen e çmimeve që duhet të paguajnë konsumatorët dhe biznesi për të nxjerrë nga kriza e thellë financiare sektorin, që ka një borxh të akumuluar prej afër 600 milionë eurosh. Por Qeveria duket me e rezervuar në këtë pikë. Në fakt edhe brenda saj ka patur qëndrime të ndryshme lidhur me çmimet e energjisë.

Ministri i Energjetikës, Damian Gjinkuri ka deklaruar se rishikimi i tarifave është i nevojshëm, por Kryeministri Rama në një dalje publike u shpreh se çmimet nuk do të rriten. Përtej debateve, çmimet e reja të energjisë duket se do të jenë një çështje e nxehtë për qeverinë, e cila duhet të bindë FMN-në se mund ta rregullojë sektorin edhe pa rritur çmimet e energjisë, përmes uljes së humbjeve, që kapin shifrën e qindra milonë eurove në vit.

Aktualisht çmimi mesatar i energjise elektrike ne Shqiperi eshte 9.53 leke per kilovat, por ndermjet kategorive te ndryshme te konsumatoreve tarifat nuk jane te njejta.     

Top Channel