Ebola, zgjerohet karantina në Sierra Leone

25/09/2014 00:00

Presidenti i Sierra Leones, Ernest Bai Koroma ka zgjeruar karantinën e të infektuarve nga Ebola, në mënyrë që në të të futën edhe 1 milion persona, në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, izolimi i lokaliteteve Port Lokoa, Bombali dhe Mojamba, në jug të vendit, do të bëhet menjëherë.

Rreth 600 persona kanë vdekur si pasojë e përhapjes së virusit në Sierra Leone dhe dy rajone lindore të këtij vendi janë izoluar që nga fillimi i muajit gusht. Vendimi i presidentit vjen pas një izolimi treditor në shkallë kombëtare që zgjati deri të dielën.

Shifrat e reja të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se 2.917 persona kanë vdekur nga rënia e Ebolës në Afrikën Perëndimore, me Sierra Leonen, Liberinë dhe Guinean si vendet më të prekura.

Dy rajone lindore janë izoluar tashmë dhe zgjerimi i karantinës parashikon që mbi një e treta e popullsisë prej 6.1 milionë banorë në Sierra Leone nuk do të ketë mundësi të lëvizë lirshëm.

Gjatë të ashtuquajturit “armëpushim”, mbi 1 milionë banorë u mbikëqyrën nga autoritetet shëndetësore dhe 130 raste të reja u zbuluan, deklaruan zyrtarët lokalë.

Vetë presidenti Koroma deklaroi se kjo masë ishte një sukses, por nga ana tjetër ekspozoi sfidat e mëdha me të cilat përballen zonat e prekura, motiv ky pse karantina do të zgjerohet.

Si pasojë e kësaj mase, vetëm personat që ofrojnë shërbime jetike mund të hyjnë dhe të qarkullojnë brenda zonave të izoluara.

Top Channel