Thohir-Barbara, për të ardhmen e stadiumit

25/09/2014 00:00

Axhenda e vizitës së presidentit të Interit në Milano ka qenë tepër e ngjeshur: fillimisht me takimet e aksionerëve mbi kontrollin e bilanceve të klubit, e më pas një drekë me Barbara Berlusconin për ristrukturimin e “Giuseppe Meazza”-s, por jo vetëm. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Adriano Galliani.

Në takimin me drejtuesit zikaltër, Thohir ka ratifikuar edhe zgjatjen e kontratës së drejtorit sportiv, Piero Ausilio, deri në fund të 2017-s, një vendim i dëshiruar me ngulm nga manjati indonezian.

Megjithatë, e rëndësishme është se çfarë do të rezultojë pas takimit me Milanin, që është përfaqësuar nga Barbara dhe Galliani, në Macherio. Prej muajsh është bërë i ditur synimi i Thohir për ta bërë “San Siro”-n stadium në pronësi të Interit dhe “shtëpi” të vetme të zikaltërve.

Hapi i parë përfaqësohet me modernizimin e impiantit, jo vetëm nga ana estetike dhe e shërbimeve të ofruara, por edhe një ridimensionim i vendeve për t’u ulur. Në këtë aspekt, finalja e Champions League e vitit 2016 do të përfaqësonte një çast vendimtar.

Ndërsa sa i përket takimit me këshillin drejtues të FC Internazionales, janë diskutuar tema të rëndësishme si miratimi i bilancit deri më 30 Qershor 2014, ndërhyrja pozitive e presidentit Thohir në lidhje me performancat e klubit, ndërkohë që Michael Bolingbroke ka informuar drejtuesit mbi marrëdhëniet mes shoqërisë dhe UEFA-s, sa i përket “Fair-Play”-t financiar.

Top Channel