Norvegji, shmanget masakra e ISIS

25/09/2014 00:00

Një grup simpatizantësh të ISIS kishin planifikuar të ekzekutonin me prerje koke të gjithë anëtarët e një familjeje norvegjeze, të filmonin masakrën dhe të transmetonin pamjet në internet.

Lajmin e ka bërë të ditur televizioni norvegjez NRK, sipas të cilit policia e Oslos ka zbuluar planin e organizuar, që do të shërbente si paralajmërim për vendet perëndimore që po përkrahin Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit në Siri dhe Irak.

Sipas autoriteteve norvegjeze, grupi i ekstremistëve kishte ndërmend të hynte me forcë në një banesë të çfarëdoshme të Oslos, t’u priste fytin banorëve dhe më pas të postonte online pamjet e masakrës.

Nga ana e saj, policia nuk ka saktësuar se kur është zbuluar plani dhe as nëse terroristët janë arrestuar dhe kur.

Norvegjia është një nga vendet perëndimore që ka dhënë alarmin për përhapjen e ekstremizmit islamik mes të rinjve të saj, duke denoncuar faktin që shumë norvegjezë, në disa raste edhe fëmijë, i janë bashkuar luftimeve në Siri dhe Irak.

Gjithashtu, Norvegjia është një nga vendet që furnizon ndihma humanitare në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS.

Top Channel