SHBA, dorëhiqet kryeprokurori Eric Holder

25/09/2014 00:00

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric H. Holder, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante deri më tani, por deklaratën formale pritet ta bëjë në orët në vijim.

Lajmi është bërë i ditur gjatë së enjtes nga Departamenti i Drejtësisë, i cili ka shtuar se Holder do të mbetet në krye të këtij posti deri sa të zgjidhet pasardhësi i tij, gjë që nënkupton nominimin dhe konfirmimin e tij.

Holder, Prokurori i 82-të i Përgjithshëm i SHBA-ve dhe i pari afrikano-amerikan që shërben në këtë detyrë, kishte njoftuar edhe më herët se planifikonte të largohej nga posti që mbante nga fundi i këtij viti.

Veçanërisht në mandatin e dytë të Presidentit amerikan Barack Obama, Holder ka qenë një ndër figurat më të zëshëm të administratës demokrate në pushtet.

Departamenti i Drejtësisë tha se Holder finalizoi kështu planet e tij për t’u larguar, gjatë një bisede rreth 60-minutëshe me Obaman, në Shtëpinë e Bardhë, përpara fundjavës së Ditës së Punës.

Holder ishte emëruar në krye të Prokurorisë Federale në vitin 2009, i pari me ngjyrë dhe më jetëgjati në një post të tillë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai ishte figura e tretë e mbetur që prej mandatit të parë të Obamas si President, ndërkohë që ka mbajtur postin e zv/Prokurorit të Përgjithshëm nën Presidentin Bill Clinton.

Top Channel