Thaçi, apel për unitet nga qyteti i Haradinaj

25/09/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka zgjedhur vendlindjen e kundër kandidatit të tij për kryeministër, Ramush Haradinaj, për të ftuar gjithë spektrin politik që të reflektojë për të krijuar sa më shpejt institucionet e vendit.

Gjatë qëndrimit në Deçan, Thaçi ka përuruar nisjen e punimeve të rrugës që lidh këtë qytet me Plavën, një projekt kapital i parashikuar edhe në Misionin e Ri të fushatës së tij në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Gjithë spektri politik duhet të reflektojë në interes të vendit, në interes të qytetarëve të Kosovës. Kështu që unë jam optimist se do t’i japim përgjigjen e duhur vendit dhe gjithë qytetarëve për të ndërtuar institucione solide, efikase, të cilat do të punojnë. Unë jam zotuar se do të angazhohemi edhe më tepër për zhvillimin ekonomik, për shtimin e vendeve të punës, për rritjen e mirëqënies sociale dhe natyrisht për të punuar më shpejt për integrimin evropian. Këto kanë qenë mesazhet e mia dhe kjo rrugë është pjesë e Misionit të Ri”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka thënë se rruga Deçan-Plavë është në vazhdën e projekteve që lidhin korridoret ku jetojnë shqiptarët. Mirëpo pavarësisht rëndësisë që ka, projekti i kësaj rruge është kritikuar ashpër nga Lidhja e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan.

Përmes një deklarate për media, Lidhja e Historianëve është shprehur kundër devijimit të arteries së kësaj rruge, e cila kohë më parë ishte parashikuar të niste në rrugën ekzistuese, e cila kalon përgjatë pronave të Manastirit të Deçanit.

Sipas Lidhjes së Historianëve, qeveria e Kosovës dhe Komuna e Deçanit me devijimin e rrugës kanë mundësuar realizimin e orekseve të Manastirit të Deçanit, me në krye Sava Janjiç dhe politikën zyrtare të Beogradit. Rruga e re që do të lidhë dy lokalitetet është e gjatë 20 kilometra, por që deri tani për ta kaluar duhen disa orë.

Top Channel