Papa shkarkon peshkopin paraguajan

25/09/2014 00:00

Papa Françesku ka pezulluar një tjetër peshkop, tashmë një konservator paraguajan, i cili akuzohet për mbrojtjen e një prifti të dyshuar për abuzime seksuale ndaj të miturve në Shtetet e Bashkuara. Lajmi është konfirmuar këtë të enjte nga Vatikani.

Papa i lindur në Argjentinë është angazhuar për tolerancë zero kundër klerikëve të Kishës Katolike, të cilët abuzojnë seksualisht ndaj të miturve, pas një serie skandalesh që kanë goditur kishën në një sërë vendesh përgjatë shumë viteve. Majin e kaluar, Françesku e quajti një abuzim të tillë me termin “krim i shëmtuar” dhe e krahasoi atë me një “veprim djallëzor”.

Në deklaratën e Vatikanit thuhet se Papa ka shkarkuar peshkopin Rogelio Ricardo Livieres Plano nga posti i tij si kreu i dioqezës së Ciudad del Este, si dhe ka emëruar një tjetër peshkop në rolin e administratorit momentalisht.

Shkarkimi i tij erdhi pas një hetimi të Vatikanit ndaj peshkopit në fjalë, dioqezës dhe seminareve të saj, thuhej në deklaratë, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Burime nga Vatikani kanë thënë për “Reuters” se peshkopi kishte refuzuar te jepte dorëheqjen pas hetimeve për akuzat dhe raportimeve për parregullsi në dioqezën e tij.

Sipas raportimeve në median katolike, ndërkohë që hetimi i Vatikanit ishte në zhvillim e sipër, Livieres Plano kishte promovuar një prift në dioqezën e tij, i cili ishte akuzuar më parë për abuzime seksuale teksa shërbente në Shtetet e Bashkuara.

Vatikani tha se Papa Françesku kishte marrë “vendimin e vështirë” për largimin e Livieres Plano, pas ekzaminimeve të kujdesshme të rezultateve të hetimit të Vatikanit. Ai ka deklaruar edhe më herët se peshkopët që do të mbulojnë skandalet e priftërinjve të tjerë do të mbajnë përgjegjësi.

Shkarkimi i peshkopit paraguajan vjen 2 ditë pasi Papa miratoi gjithashtu edhe arrestimin në Vatikan të ish-kryepeshkopit dhe ambasadorit të Vatikanit në Republikën Domenikane, i cili akuzohej për dhënie të hollash për të kryer akte seksuale me fëmijë.

Top Channel