Rouhani: Ekstremizmi, pasojë e kolonizimit

25/09/2014 00:00

“Vij nga një pjesë e botës që digjet mes flakëve të ekstremizmit”. Me këto fjalë e ka hapur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti iranian Hassan Rouhani.

Sipas Rouhanit, “prirjet anti-perëndimore të ditëve të sotme i kanë rrënjët në kolonizimin e djeshëm dhe kjo është një reagim ndaj racizmit”.

Lideri i moderuar iranian ka kritikuar edhe “strategjinë e gabuar” të Perëndimit në Lindjen e Mesme, duke e vënë theksin tek “ndërhyrjet e papërshtatshme në Siri”, si dhe tek ato që i ka quajtur “agresionet ushtarake në Irak dhe Afganistan”, duke i cilësuar si faktorë të kësaj strategjie të gabuar.

Lideri iranian më pas ka nënvizuar se, “nga lindja në perëndim, ekstremistët kërcënojnë qytetet tona duke derdhur gjak dhe ushtruar dhunë”. “Ata nuk flasin të njëjtën gjuhë, nuk janë të së njëjtës ngjyrë dhe as të një kombësie. Ata kanë ardhur nga e gjithë bota”, ka thënë Rouhani.

“Grupe si ISIS kanë ideologjinë e tyre, që është dhuna dhe ekstremizmi dhe kanë një objektiv të vetëm: shkatërrimin e qytetërimit. Jam i habitur se si ky grup vrasësish e quan veten islamik”, ka shtuar ai.

Presidenti ka folur edhe për sanksionet ndaj Iranit duke i cilësuar ato një “gabim të rëndë” dhe ka nënvizuar se çështja bërthamore iraniane mund të zgjidhet përmes negociatave dhe mund të shërbejë si fillimi i një bashkëpunimi të gjithëanshëm.

Top Channel