Sanksionet, Kina ngrin 25 miliardë $

25/09/2014 00:00

Sanksionet bankare perëndimore kundër Moskës, për rolin e saj në krizën ukrainase, kanë detyruar qeverinë kineze të ngrijë përkohësisht parapagesën prej 25 miliardë dollarësh për financimin e pjesshëm të ndërtimit të gazsjellësit siberian, i parashikuar nga marrëveshja prej 400 miliardë dollarëshe për furnizimin me metanin rus, e nënshkruar me Moskën në maj.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ruse, të cilat komentojnë se bëhet fjalë për një goditje të rëndë për ekonominë ruse, rritja e së cilës është ndalur.

Por numri dy i kompanisë “Gazprom”, Aleksandr Medvedev, edhe pse ka pranuar se çështja ka mbetur pezull, ka minimizuar rrezikun duke thënë se punimet për ndërtimin e gazsjellësit kanë nisur.

“Parapagimi mund të shërbejë si instrument për të ulur taksën doganore, mund të sjellë avantazhe për të dyja palët, por nuk sjell asnjë problem nëse nuk kryhet”, ka thënë Medvedev.

Ndërkohë, sanksionet perëndimore në sektorin bankar kanë patur një seri pasojash në tregun rus, sepse kanë gjeneruar një klimë mosbesimi tek investitorët.

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Alexiei Viedev parashikon për vitin 2014 një rrjedhje kapitalesh nga Rusia prej rreth 120 miliardë dollarë, dyfishi i rrjedhjes së vitit të kaluar.

Parashikimi i tij, i bërë për radion Eco të Moskës, është më i lartë se ai i Bankës Qëndrore Ruse prej 90 miliardë, institucion që vetëm në sesionin e parë të vitit ka regjistruar një humbje prej 75 miliardë dollarë.

Top Channel