Iraku: “Komplote” të ISIS në SHBA e Paris

25/09/2014 00:00

Kryeministri irakian ka bërë të ditur se zyrtarë të inteligjencës së vendit të tij kanë zbuluar një komplot, sipas të cilit do të sulmoheshin sistemet hekurudhore nëntokësore në Shtetet e Bashkuara dhe Paris.

Kryeministri Haider al-Abadi deklaroi se ishte informuar mbi veprimet e luftëtarëve të huaj mes radhëve të grupit ekstremist të Shtetit Islamik, të cilët ndodhen në Irak, se do të thurnin komplote për një sulm “të pashmangshëm”.

Duke folur në mbyllje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ai tha se detajet e siguruara dukeshin të besueshme. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë pretendimet e Irakut.

Një burim nga zyrtarë të lartë amerikanë ka thënë për “Reuters” se ende nuk ka prova mbi një sulm të mundshëm të Shtetit Islamik në sistemin hekurudhor të Amerikës. Lajmi vjen pasi Shtetet e Bashkuara kanë nisur mbi 200 sulme ajrore kundër militantëve të ISIS, në Irak prej Gushtit, ndërsa në Siri prej ditës së hënë.

Por, Shtetet e Bashkuara kanë reaguar menjëherë pas këtij lajmi, duke thënë se nuk ka asnjë provë të besueshme, që të mbështesë pretendimet e Irakut se forca të Shtetit Islamik kanë parashikuar sulme në metrotë e Amerikës. Lajmi është përgënjeshtruar nga dy zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane.

Në të kaluarën, SHBA-të kanë marrë kërcënime se grupe të ndryshme militantësh kanë shënjestruar metrotë, por ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me një plan “të pashmangshëm” nga Shteti Islamik, tha njëri prej zyrtarëve, i cili nuk preferoi të identifikohej, për agjencinë “Reuters”.

Një tjetër burim nga Kongresi tha se ligjvënësit dhe stafi i Presidentit ende nuk kanë raportuar mbi ndonjë kërcënim të mundshëm të Shtetit Islamik ndaj metrove në qytetet amerikane.

Top Channel