Rezoluta e OKB për terroristët

25/09/2014 00:00

Shqipëria dha votën pro në miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit mbi luftëtarët e huaj terroristë. Rezoluta thekson përgjigjen ndaj rrezikut në rritje që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë dhe jep orientimin për bashkërendimin e veprimeve ndaj terrorizmit në të gjitha format.

Vota e Shqipërisë merr një rëndësi të veçantë, në kushtet kur nga rajoni i Ballkanit gjithashtu ka luftëtarë që i janë bashkuar luftës së ekstremistëve dhe terroristëve.

Bashkimi i tyre me këtë luftë, për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati nuk përbën rrezik vetëm për vendin ku ata ushtrojnë aktivitetin, por edhe për vendet e origjinës, tha përpara Këshillit të Sigurimit në OKB shefi i diplomacisë shqiptare.

“Luftëtarët e huaj terroristë paraqesin një rrezik gjatë gjithë trajektores së lëvizjes së tyre, si në destinacionin përfundimtar ashtu edhe në shtetet ku ata tranzitojnë. Por ky rrezik është po ashtu i madh edhe për shtetet e origjinës, kur kthimi në këto vende paraqet rrezik potencial veçanërisht atëherë kur strukturat e sigurisë janë të pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është i pa konsoliduar ose kur ka rrethana komplekse të përbërjes etnike ose fetare, siç është rasti në Ballkan. Shqipëria është krenare që është ndër vendet e para të cilat i janë përgjigjur kësaj sfide”, deklaroi Bushati.

Në ndryshim nga luftëtarët e vendeve të BE-së, ata ballkanas nxiten edhe prej kushteve jo të mira ekonomike dhe sociale. Përmirësimi i këtyre faktorëve, për ministrin e Jashtëm shqiptar, është një nga rrugët e frenimit të këtij fenomeni.

Në emër të Shqipërisë, ministri Bushati konfirmoi gadishmërinë e plotë për të kontribuar përkrah bashkësisë ndërkombëtare në luftë me terrorizmin dhe ekstremizmin.

Top Channel