Itali, Napolitano do dëshmojë për mafian

25/09/2014 00:00

Presidenti italian Giorgio Napolitano pritet të dëshmojë në një gjyq historik, në të cilin zyrtarë të shtetit akuzohen për zhvillimin e bisedimeve sekrete me mafian në fillim të viteve 1990, njoftoi gjatë së enjtes një gjykatë e Palermos.

Përfshirja e pazakontë e kreut të shtetit në një çështje kriminale vjen pasi prokurorët synojnë të hedhin dritë mbi bombardimet e mafias rreth dy dekada më parë, që shkaktuan vdekjen e shumë magjistratëve të lartë dhe figurave të rëndësishme të drejtësisë italiane.

Gjykata “vendosi që dëshmia e Presidentit të mos jetë as e tepërt dhe as e parëndësishme”, tha gjykatësi Alfredo Montalto, kryesues i kësaj çështjeje.

Prokurorët kanë theksuar se duan të flasin me Presidentin në lidhje me bisedat, që njëri prej të akuzuarve ka pasur me një prej ish-këshilltarëve të Napolitanos. Në kohën e sulmeve me bomba, Napolitano mbante post të ndryshëm nga tani, si president i Dhomës së Deputetëve të Italisë, apo dhomës së ulët të Parlamentit.

89-vjeçari, i cili refuzoi të jepte prova kur prokurorët bënë një kërkesë fillestare në Tetor, lëshoi një deklaratë të enjten, ku thoshte se ai “nuk do të kishte vështirësi në dhënien e dëshmisë së tij së shpejti”. Ai do ta japë atë në Romë, bëri të ditur gjykata, por pa dhënë detaje mbi datën.

Prokurorët akuzojnë se politikanë të lartë dhe zyrtarë të policisë kanë zhvilluar bisedime me mafian siçiliane, pas vrasjes së prokurorit të antimafias Giovanni Falcone, gruas së tij dhe 3 truprojave, nga një bombë e vendosur prej mafiozëve nën një rrugë në vitin 1992.

Nicola Mancino, ministër i Brendshëm gjatë periudhës së negociatave të dyshuara, po hetohet për dhënie të dëshmisë së rreme, ndërsa 9 të pandehur të tjerë, përfshi edhe 3 oficerë të lartë të karabinierëve paraushtarakë, përballen me akuzat e shantazhit ndaj shtetit. Por, ata i mohojnë këto akuza.

Napolitano u lidh me këtë çështje, kur prokurorët përgjuan telefonin e Mancinos dhe regjistruan 4 telefonata që ai kishte pas bërë me Presidentin. Në disa pjesë të regjistrimeve, të publikuara nga gazetat, Mancino ankohej në lidhje me prokurorët dhe duket se i ka kërkuar ndihmë Presidentit.

Media italiane raportoi vitin e kaluar se regjistrimet ishin shkatërruar, siç ishte urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese. Por, prokurorët thanë se duan të pyesin Presidentin në lidhje me bisedat e Mancinos me ish-këshilltarin ligjor të Presidentit, Loris D’Ambrosio, i cili tashmë nuk jeton.

Top Channel