Tjetër kallëzim për nënkryetarin e KLD-së

25/09/2014 00:00

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, kryeinspektorja Marsida Xhaferllari, ish-kryeinspektorja Valbona Vata, si edhe 13 gjyqtarë janë kallëzuar këtë të enjte në Prokurorinë e Përgjithshme për zvarritjen e procesit civil të shtetases suedeze Ana Nordstrom.

Ky kallëzim i drejtohet për dijeni edhe presidentit, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, Ambasadës Amerikane dhe asaj Suedeze, si dhe komisionerit europian për Zgjerimin.

Shoqata e Avokatëve anti-korrupsion thotë se Çefa, Vata dhe Xhaferllari, duke shpërdoruar detyrën, në vetëdije të plotë dhe me mosveprime kanë lejuar ardhjen e pasojave kundër Anna Vebi Nordstrom.

Procesi gjyqësor, i cili ka si objekt një dëshmi trashëgimie, thuhet në kallëzim, ka nisur më 19 janar 2011 dhe deri më sot ende nuk ka mbaruar si rezultat i shtyrjeve të qëllimshme të seancave dhe dorëheqjes së gjyqtarëve nga shqyrtimi i dosjes.

Kallëzimi thotë se, një pretendim i tillë provohet tërësisht edhe nga Gjykata Kushtetuese që ka konstatuar cënimin e së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si pasojë e mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm.

Nga ana e kërkueses, Anna Nordstrom, e cila ka katër vjet qe ende nuk ka një përgjigje nga drejtësia shqiptare, në referim të kronologjisë, nuk është shkaktuar asnjë vonesë për zhvillimin e gjykimit.

Në më të shumtën e rasteve shtyrjet kanë ndodhur për shkaqe fiktive shëndetësore të avokatit të palës së paditur, i cili paraqiste raporte fiktive dhe menjëherë sapo “shërohej”, mbrojtësi i palës së paditur “sëmurej”.

Gjykata, vijohet më tej, edhe kur ishte e pranishme shtynte seancën nga dy deri në gjashtë muaj. Sipas kallëzimit, sjelljet e gjyqtarëve janë favorizuar drejtëpërdrejt nga nënkryetari i KLD, Elvis Çefa dhe kryesinspektoret Valbona Vata dhe Marsida Xhaferllari, duke qenë se për këtë rast KLD është vënë disa herë në dijeni.

“Për këtë veprim kemi njoftuar edhe ish-presidentin Bamir Topi dhe presidentin aktual Bujar Nishani, ish-nënkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiu dhe ish-kryeinspektoren Valbona Vata, nënkryetarin aktual Elvis Çefa dhe kryeinspektoren aktuale Xhaferllari, ish-ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi dhe ministrin aktual Nasip Naço”, thuhet në kallëzim.

Sipas avokatëve, rasti është i qartë duke qenë se aktet vërtetojnë në detaje pretendimet e Ana Nordstrom, e cila e ka atësinë e njohur që kur ka lindur në Suedi, në kohën kur i ati i saj, i ndjeri Vebi Velija ishte gjallë.

Ky fakt është i provuar para autoriteve suedeze, thuhet në kallëzim, por Ana Nordstrom u diskriminua vetëm për faktin se ajo është shtetase suedeze me një baba shqiptar.

Ky veprim i paligjshëm është kryer me dashje nga gjykata shqiptare, me qëllim favorizimin e shtetasit Ferik Velija (vëllai i Ana Nordstrom) për tjetërsimin e pasurive të paluajtëshme që i rrjedhin asaj nga trashëgimia ligjore e të atit.

Top Channel