Seminari ndërkombëtar i albanologjisë ka mbledhur në Universitetin Shtetëror të Tetovës studiuesit më në zë të albanologjisë nga të gjitha trojet shqiptare.

Rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti, është i bindur se mendimet e reja shkencore, që do të prezantohen gjatë punës së seminarit, do të sjellin vlera të reja shkencore për albanologjinë në përgjithësi.

“Qasjet shkencore dhe të drejtat e studimeve për studentët dhe profesorët e USHT-së paraqesin një detyrim profesional dhe kombëtar, por që përmbajnë në vete krenari dhe konkurrencë pozitive. Ne jemi të vendosur, që arritjet tona shkencore t’i shprehim në gjuhën e drejtë dhe të kuptueshme. Veprimtaria juaj shkencore na e lehtëson synimin tonë”, tha Vullnet Ahmeti, rektor i USHT-së.

Në hapjen e seminarit mori pjesë edhe ministri i Arsimit në Maqedoni, Abdilaqim Ademi, i cili tha se karakteri rajonal i këtij seminarit, që po zhvillohet në USHT, dëshmon se edhe Tetova është qendër e rëndësishme, ku trajtohen çështjet e gjuhës dhe historisë shqiptare.

“Jam i bindur plotësisht, që në dy ditët në vazhdim pjesëmarrësit e këtij seminari, pra njerëzit e vlerave hulumtuese, me ligjëratat dhe debatet e tyre do të japin edhe një kontribut shtesë, që do të jetë në funksion të dëshmisë se historia dhe kultura shqiptare, gjithmonë ka qenë pjesë e kulturës europiane”, tha Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit në Maqedoni.

Në këtë seminar, që në boshtin e tij ka temën “Kultura shqiptare, pjesë e pashkëputshme e kulturës europiane”, studiuesit do të mund të paraqesin kumtesat e tyre në katër sesione shkencore, atë të gjuhës, letërsisë, historisë dhe etnokulturës.

Top Channel