Mallrat e akcizës, Braçe: Masa kundër evazionit

25/09/2014 00:00

Kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe edhe pse ka demonstruar përmes shifrave rritjen e të ardhurave krahasuar me vitin e kaluar, i ka kërkuar qeverisë të marrë masa për të ulur evazionin tek mallrat e akcizës, e cila është taksa me performancën më të dobët në buxhet.

“Nuk ka mundësi që zhdoganimet e karburantit, birrës dhe cigareve të jenë më të ulëta se në vitin 2010. Kemi rritur masat e kontrollit dhe kemi vendosur dy kompani konçesionare për këtë punë. Prishini kontratat me kompanitë konçesionare që nuk janë zbatuar dhe nuk kanë sjellë efekte pozitive në buxhet, qoftë ato për pullat fiskale dhe për markimin e karburanteve”, deklaroi Braçe.

Zoti Braçe tha se qeveria ka rezerva të mëdha për të mbledhur të ardhura edhe nga TVSH, por edhe tatim-fitimi, ku sipas tij kompani të mëdha mashtrojnë duke deklaruar humbje.

“Kam në duar deklarimet tatimore të dy kompanive të kafesë, ndër më të mëdhatë në treg. Në 5 vite e kanë deklaruar aktivitetin me humbje, ndërsa shesin pa pushim, arkëtojnë fitime dhe për buxhetin e shtetit derdhin zero të ardhura apo minimumin. Janë kompanitë e mbretit dhe të birit të mbretit të asaj kohe. Kjo nuk duhet të ndodhë më”, theksoi Braçe.

Top Channel