Paketa e re fiskale, biznesi: Qeveria të ulë taksat

25/09/2014 00:00

Biznesi i kërkon qeverisë të ulë taksat për të përmirësuar klimën e sipërmarrjes dhe nxitur investimet private në vend.

Përmes një njoftimi zyrtar, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka bërë publike për herë të parë propozimet për paketën e re fiskale, ku kërkon ndërhyrje të thella në sistemin e taksave, si në anën administrative ashtu dhe në atë të politikave.

Në kahun e politikave, bizneset anëtare të Dhomës i kërkojnë qeverisë të ulë normën e tatimit mbi fitimin nën nivelin aktual prej 15 për qind.

Sipas tyre, kjo masë do të nxiste investimet private vendase dhe të huaja dhe do të ulte evazionin fiskal. Parlaleisht ato sugjerojnë që nëse kompanitë nuk i shpërndajnë si divente fitimet, por i riinvestojnë ato, qeveria t’u kthejë mbrapsht tatimin mbi fitimin.

Po kështu, Dhoma Amerikane kërkon që qeveria të rishikojë edhe tatimin mbi të ardhurat personale që paguhen mbi pagën për të patur një trajtim të barabratë të këtyre të ardhurave, pavarësisht nëse janë të krijuara nga puna, aktiviteti i biznesit apo kapitali.

Në kahun administrativ, Dhoma Amerikane i kërkon qeverisë të luftojë evazionin dhe të vërë para përgjegjëesisë bizneset informale që konkurrojnë në mënyrë të pandershme.

Po kështu, ato kërkojnë që detyrimet dhe interesat të vendosura nga organet tatimore të paguhen vetëm pas dhënies së vendimit nga Gjykata apo Drejtoria e Apelit.

Ndërkaq, në listën me 14 kërkesa Dhoma propozon forcimin e pavarësisë për avokatin e tatimpaguesve dhe institucionet e tjera që mbrojnë biznesin nga arbitrariteti i administratës.

Kjo është hera e parë që biznesi kërkon publikisht uljen e taksave, veçanërisht tatimit mbi fitimin pas reformës fiskale të këtij viti, kur qeveria e majtë e rriti këtë taksë nga 10 në 15 për qind.

Top Channel