UEFA heton zyrtarisht Interin, Romën, Liverpoolin

25/09/2014 00:00

Pas zërave vjen edhe konfirmimi zyrtar. Lajme të këqija kanë mbërritur për Interin e Romën, sa i përket kampionatit italian, por edhe Liverpoolit në Angli, së bashku me 4 ekipe të tjera si Monaco, Beshiktash, Krasnodar e Sportingu i Lisbonës.

Organi i kontrollit financiar, në organizmin më të lartë drejtues të futbollit botëror, ka zbuluar një deficit të bilancit të këtyre shtatë klubeve, të cilat i përkasin periudhave të kontabilizuara 2012 dhe 2013, ndaj dhe kanë nisur një hetim zyrtar mbi këtë çështje.

Tashmë klubet duhet të japin informacione shtesë, e më pas UEFA do të vendosë mbi masat eventuale paralajmëruese apo ndëshkuese.

Sa i përket bilanceve të Interit dhe Romës, gjithnjë bazuar mbi rregullin e “Fair Play”-t financiar, këto klube duhet të japin llogari shtesë në muajt Tetor e Nëntor. Një hap detyrues për të gjitha klubet e përfshira në hetim, teksa skuadrat do të monitorohen vazhdimisht deri në skadimin e afateve të përcaktuara.

Me siguri, pas hetimeve UEFA do të komunikojë informacione shtesë mbi këtë hetim, ose do të fiksojë masat në rast konstatimi të parregullsive.

Zikaltrit janë në fakt me një bilanc negativ prej 85 mln eurosh, ndaj dhe klubi i Thohir mund të përjashtohet me 1 vit nga Kupat e Europës. Për Romën, mund të ketë vetëm sanksione ekonomike.

Top Channel