FBI identifikon ekzekutuesin e amerikanëve

25/09/2014 00:00

Militanti i maskuar i Shtetit Islamik, i cili është shfaqur gjatë ekzekutimeve të dy amerikanëve, tashmë është identifikuar. Lajmi bëhet i ditur nga vet drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) gjatë së enjtes, James Comey, i cili nuk dha detaje të mëtejshme mbi emrin e këtij personi, apo kombësinë e tij.

Comey, duke folur përpara një grupi të vogël reporterësh, refuzoi të jepte detaje të mëtejshme mbi të dyshuarin. Ai tha se thuajse një duzinë amerikanësh janë zbuluar dhe dihen që po luftojnë në krah të militantëve në Siri, dhe se shumë prej atyre që kanë luftuar atje janë rikthyer tashmë në Shtetet e Bashkuara.

Njoftimi i kreut të FBI-së vjen vetëm pak orë pasi militantët e ISIS kanë ekzekutuar publikisht Samira Salih al-Nuaimi, një aktiviste e të drejtave të njeriut në Lindjen e Mesme, me profesion avokate e të drejtave të njeriut.

Arsyeja e vrasjes së Al Nauaimit, thuajse një ditë pas rrëmbimit të saj nga ISIS, janë një sërë postimesh në faqen e saj të Facebookut, ku shfaqej kritike ndaj kalifatit islamik.

Aktivistja e të drejtave të njeriut i kishte kundërshtuar barbarizmat e xhihadistëve vetëm me fjalë dhe kaq mjaftoi për t’u “dënuar” nga ISIS. Ata gjithashtu pretendojnë se Al Nauaimi dhe familja e saj kishin braktisur fenë islame, ndaj bashkëshorti i saj u ndalua për të marrë pjesë në funeralin e të shoqes.

Institucioni i të drejtave të njeriut e cilësoi si një vepër makabre vrasjen e 35-vje?ares, e cila kishte shërbyer për një kohë të gjatë si mbrojtëse e të drejtave të qytetarëve të Mosulit.

Top Channel