Zbulohet anija e mbytur në Luftën e Parë

25/09/2014 00:00

Gjatë Luftës së Parë Botërore, pikërisht 100 vite më parë në brigjet e Otrantos u vendosën dhjetëra anije navale nga forcat britanike, të cilat përmes rrjetave të hekurta kërkonin të ndalnin kalimin e anijeve armike. Një prej tyre është zbuluar dhe ndodhet në Borsh, në një thellësi prej 80 metra.

Drejtori i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare, i cili është edhe pjesë e ekspeditës shqiptaro-amerikane të kërkimeve arkeologjike nënujore, tregon detaje mjaft interesante të kësaj anijeje, që dikur quhej ‘drifter’ dhe që lidhet ngushtë me një pjesë të panjohur të historisë shqiptare.

“Një nga anijet e njohura si drifter, jo shumë e rëndësishme historike por që ka marrë pjesë në një nga betejat kryesore të LIB, në betejën e parë në historinë e njerëzimit ku kanë marrë pjesë anijet, kryqëzorët dhe avionët. Flota britanike kishte krijuar rrjeta hekuri për të bllokuar nëndetëset austro-hungareze, që godisnin anijet e aleatëve në mesdhe. Për ta luftuar këtë austro-hungarezët ndërmorrën një seri aksionesh kundër kësaj rrjete me një sërë anijesh. Ishte në Shëngjin për të transportuar trupat serbe që po tërhiqeshin nga fronti për në Itali dhe aty janë sulmuar nga fronti austro-hungarez dhe janë mbytur mbi 34 anije shqiptarësh, pra humbja e gjithë flotës”, tregon Tare.

Profesor doktor Ilir Çapuni ka nxjerrë fakte të rëndësishme historike lidhur me këtë zbulim nënujor, duke sjellë një panoramë të plotë të kushteve historike në të cilat gjendej Shqipëria.

“Të gjithë këta kapitenë të anijeve drifter kanë qenë peshkatarë të thjeshtë, por e kanë bërë punën me një përkushtim të vecantë. Me një taktikë të jashtëzakonshme ata u kanë dalë drifterave nga jugu dhe mund të thuhet se kanë bërë një lloj masakre në kanalin e Otrantos. Në ikje të operacioneve, anijet austro-hungareze kanë lëshuar tym dhe efekti që është përdorur këtu ka qenë zhurmuesi”, tregon Çapuni.

Në hapësiren ujore të vendit tonë gjenden dhjetëra anije të fundosura, që mbartin me vete një pjesë të historisë, e cila mbetet për t’u zbuluar nga arkeologët dhe historianët.

Top Channel