“Top Story”, rrugëtimi papnor

25/09/2014 00:00

“Top Story” i kësaj të enjteje ishte i pazakontë, sepse e tillë ishte edhe vizita e Papa Françeskut të dielën e 21 shtatorit.

Një javë më parë, në studion e emisionit me të ftuarit klerikë dhe
analistë iu parapri vizitës, ndërsa këtë javë gazetari Sokol Balla,
njëri prej tre gazetarëve shqiptarë që udhëtuan me avionin papnor nga
Vatikani në Shqipëri, solli ndjesitë dhe emocionet e këtij udhëtimi,
ndërthurur me një përshkrim të shkurtër të historisë së fesë në vendin
tonë.

Në pjesën e parë, pas prezantimit të realitetit të hidhur të fesë përgjatë regjimit komunist, që për vite me radhë e shndërroi vendin në të vetmin në botë ateist duke persekutuar klerin nisi rrugëtimi papnor, e së bashku me të edhe Top Story.

Që nga prerja e biletave të avionit në sheshin Papa Piu XII e deri tek mbërritja në Rinas, ku pavarësisht shtetësisë edhe tre gazetarët shqiptarë iu nënshtruan protokollit të sigurisë së rojeve të Vatikanit.

Pas Rinasit mbërrin ndalesa në Presidencë dhe një detaj i vogël mbi “luftën e ftohtë” mes Presidencës dhe Kryeministrisë se kush do të organizonte pritjen protokollare. Papa kishte ardhur në Shqipëri me ftesë të shefit të qeverisë, por Ai është kryetar shteti.

Më pas një tjetër detaj, pak më shqetësues. Përgjegjësia e sigurisë ishte tërësisht në duart e autoriteteve shqiptare dhe vigjilenca nuk duhej ulur asnjëherë, sidomos pas qarkullimit të lajmit, që nuk u konfirmua kurrë se Atit të Shenjtë mund të sulmohej.

“Incidenti” i parë dhe i vetëm, nëse mund të quhet kështu, është arrestimi i dy personave në Hotel Rogner. Dy të ndaluarve iu gjetën armë të ftohta thika dhe më vonë u mësua se ishin anëtarë të “Dëshmitarëve të Jehovait”, armiq të përbetuar të Kishës Katolike.

Vijohet më tej me mesazhin e Atit të Shenjtë në Sheshin Nënë Tereza dhe pritjen që i bënë shqiptarët, jo vetëm katolikë. Më pas vjen momenti i përlotjes së Papës nga rrëfimi i murgeshës së përvuajtur nga regjimi në Katedralen e Tiranës.

Pjesa e tretë nis me takimin e Papës me krerët fetarë të shqiptarëve të rajonit, kur përvec mesazhit dhe inkurajimit për të vazhduar bashkëjetesën dhe tolerancën fetare transmetoi edhe humor.

“Dukemi si skuadër futbolli. Katolikët në një anë, të gjithë të tjerët në anën tjetër”, do të deklaronte Papa duke iu shmangur atyre që kishte të shkruajtura në letër.

Më pas reportazhi u ndal tek trajtimi i disa informacioneve për atë që u quajt kërcënim për jetën e Atit të Shenjtë, për masat e sigurisë së marra nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare.  

Për të ndjekur më të zhvilluara të gjitha këto, të premten mund të gjeni në www.top-channel.tv gjithë Top Story-n e kësaj mbrëmjeje.

Top Channel