Nishani: ISIS kërcënim global

26/09/2014 00:00

Presidenti Bujar Nishani, në fjalën e tij, përpara Sesionin e 69-të të
Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u shpreh se
“Shqipëria është e angazhuar për një OKB të efektshme dhe koherente në
përshtatje me qëllimin e një sistemi shumëdimensional.

Duke u ndalur në situatën në Siri presidenti Nishani tha se është e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të përshkruar situatën atje.

“Pas më shumë se tre vjet luftimesh vdekjeprurëse, është bërë jashtëzakonisht e vështirë për të jetuar në atë vend. Atje kanë akte të tmerrshme. Më shumë se 170 mijë njerëz kanë vdekur, miliona të tjerë janë refugjatë, dhe pjesë të mëdha të vendit janë kthyer në gërmadha.  Shqipëria ka bashkuar zërin e saj me nismën e rreth 60 vendeve të tjera të OKB-së për të referuar situatën në Siri në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve. Për fat të keq, si me shumë iniciativa të tjera për Sirinë, kjo përpjekje mori veton në Këshill”, theksoi Nishani.

Terrorizmi, tha presidenti Nishani, mbetet një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe lufta kundër terrorizmit mbetet një përparësi që kërkon një angazhim më të madh.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ky kërcënim global mund të adresohet vetëm me veprime kolektive dhe një përgjigje të fuqishme. Shqipëria dënon në mënyrën më të fuqishme të gjithë aktet terroriste kryer nga grupet dhe organizatat terroriste në Irak dhe Siri, përfshirë dhe veçanërisht ato nga ISIS-i. Të vetëdijshëm se terrorizmi është një kërcënim që s’njeh kufij, një kërcënim për vendet dhe rajonet e veçanta por gjithashtu për vlerat dhe parimet njerëzore, Shqipëria i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar të krijuar së fundmi me qëllim frenimin dhe shkatërrimin në fund të ISIS-it”, u shpreh Presidenti.

Përparimi i Kosovës, atmosfera e re në rajon, tha Nishani, dhe nevoja për të shtyrë përpara mbarë rajonin drejt rritjes së bashkëpunimit dhe begatisë, kanë shtruar rrugën për bisedime të suksesshme të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është njohur deri më sot nga 108 anëtarë të Kombeve të Bashkuara, shumë më tepër se gjysma e anëtarësisë së OKB-së. Njohja ka qenë pa dyshim një faktor i rëndësishëm në përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse, sikurse dhe më parë, ne u bëjmë thirrje vendeve që ende nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, sepse kështu ata do të ndihmonin jo vetëm popullin e Kosovës të përparojë drejt të ardhmes, por do të kontribuonin gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Nishani.

Duke u ndalur në zhvillimet në Maqedoni presidenti Nishani deklaroi se “Ne mbetemi të bindur se zbatimi i plotë dhe i shpejtë  i Marrëveshjes së Ohrit është kusht i domosdoshëm për stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë. Shqipëria inkurajon vazhdimin e dialogut ndërmjet autoriteteve në Beograd dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës për promovimin e të drejtave të tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Top Channel