Rusi, sekuestro pasurive të oligarkut

26/09/2014 00:00

Gjykata e Arbitrazhit në Moskë ka urdhëruar sekuestrimin e aksioneve të kompanisë së naftës ‘Bashneft”, e kontrolluar nga oligarku Vladimir Ievtushenkov.

Këtij të fundit një ditë më parë iu konfirmua arresti shtëpiak nën akuzën e pastrimit të parave përmes privatizimit të kësaj shoqërie.

Ndërkohë, media të ndryshme kanë ngritur shqetësimin për një “Yukos bis”, një rast të ngjashëm me atë të Mikhail Khodorkovsky.

Vetë Ievtushenkov është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave, ndërsa disa eksponentë të qeverisë kanë paralajmëruar në ditët e fundit se rasti mund të ketë pasoja në klimën e investimeve të Rusisë.

Një ditë më parë një gjykatë në Moskë konfirmoi arrestin e shtëpisë për oligarkun në fjalë, që renditet njeriu i 15 më i pasur i vendit.

Revista “Forbes” i atribuon atij një pasuri prej 9 miliardë dollarësh që burojnë nga aktiviteti i tij si president i kompanisë “AFK Sistema”, që ka përfunduar nën akuzë për pastrim parash me privatizimin në vitin 2009 të “Bashneft”.

Kompania e naftës ishte në shënjestër të kolosit shtetëror “Rosneft”, i drejtuar nga Igor Secin, aleati i fuqishëm i Putin i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të rolit të Moskës në konfliktin ukrainas.

Top Channel